Shfaqja “Togeri nga Inishmori” nga autori Martin McDonagh, i realizuar nga Teatri i Gjilanit në regji të Shkelzen Berishës vjen si mysafir në Teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Kjo komedi e zezë shfaqet sonte (14 maj 2025) nga ora 20:00, në Teatrin “Bekim Fehmiu.


“Një burrë i rrezikshëm, një mace e zhdukur dhe një seri ngjarjesh aq absurde saqë vetëm një komedi e zezë mund t’i mbajë bashkë. “Togeri nga Inishmori” është një shfaqje që shpërthen me ironi, gjak, humor, të qeshura të pakontrollueshme dhe reflektime të thella”, thuhet në njoftimin e Teatrit “Bekim Fehmiu”.

Tutje i është bërë ftesë publikut që ta përjetojë këtë shfaqje, raporton Telegrafi.

“Kur dikush prek gjënë e vetme që Togeri e do me gjithë zemër – macen e tij – gjithçka kthehet përmbys. Çfarë ndodh kur dashuria për kafshën tënde bëhet më e madhe se për njerëzit përreth? Një tekst brilant, me humor të errët, situata që shkojnë deri në absurditet, dhe një galeri personazhesh që nuk do t’i harroni lehtë. Ejani të qeshni, të tronditeni dhe të përjetoni një nga shfaqjet e "Togerit nga Inishmori" më origjinale që janë vënë në skenë”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se shfaqja është e hapur për audiencën mbi 16 vjeç, meqë ka krisma armësh dhe nuk rekomandohet për fëmijë dhe gratë shtatzëna. /Telegrafi/