Pak meze, pak raki apo lëngë molle, duke i shfletuar gazetat e trasha që tregojnë për një milion mënyra të korrupsionit, mitos, haraçit, shitblerjes së diplomave, vjedhjet e politikanëve... Druaj se edhe më 2014 do t’i kemi të njëjtat probleme! Gëzuar!

Është e vështir të gjesh një institucion të Kosovës që funksionon normalisht.


Kongo, Sierra Leone, Kamboxhia, Ruanda, Bosnja... Në mesin e këtyre shteteve e gjen Kosovën, zakonisht për të keq. Raportet që hartohen për shtetin tonë, pa asnjë përjashtim, Kosovën e paraqesin si vatër të krimit të organizuar, korrupsionit, zhvatjes, vrasjeve.

Qeverisja e dobët është burim i problemeve serioze. Pa përjashtim, asnjë qeveri, që nga përfundimi i luftës nuk dha shembuj të mirë në qeverisje. Edhe viti që po e lëmë pas, i ngjau viteve të mëparshme.

Gjatë tërë vitit i kemi përcjellë mbledhjet e Qeverisë që nuk kishte alternativa, përveç dokrrave. Dhe, fundi i vitit vjen duke na gjetur të gjithëve përballë televizorit, duke shikuar programe të tredhura. Viti i Ri prapë na gjen në pikën zero, aty ku e lamë para një viti. E, tregimet për korrupsion edhe në vitin tjetër janë pjesë e përditshmërisë.

Prapë unë dhe kolegët e mi do të shkruajmë se si në Kosovë strehohen dilerët e drogës; se si prokurori special për luftimin e korrupsionit është kriminel dhe zhvatës; se si vidhet dhoma e dëshmive në Policinë e shtetit dhe askush nuk është arrestuar... Do të vazhdojmë të shkruajmë dhe raportojmë se si drejtori i Qendrës Klinike Universitare blen veturë 60 mijë euro, e nuk ka penj për qepjen e varreve dhe batanije për shtroj dhe mbuloj. Faqet e gazetave prapë do t’i gjesh me shkrime për mjekët që paguhen nga kompani farmaceutike për t’i përshkruar ilaçet me porosi.

Do të shkruajmë se si disa biznesmenë ndërtues e sfidojmë shtetin me milionat e tyre; se si kryetarët e komunave që dënohen për vepra kriminale të haraçeve ikin nga drejtësia; se si fëmijët e deputetëve i rrahin policinë e shtetit, mbajnë kallashnikovë në vetura dhe ata nuk ndiqen penalisht, por si kundërvajtës

Do të shkruajmë se si politikanët dhe ministrat punësojnë fëmijët e njëri-tjetrit; do të shkruajmë se si blihen dhe shiten diplomat, notat dhe fakulteti...

A e meritojmë këtë?

Them se po. Sepse, këta njerëz që po udhëheqin me vendin nuk janë as italianë dhe as gjermanë, por janë të Kosovës. Janë tanët, janë pjesë e jona dhe edhe ne jemi po si ata, sepse po pajtohemi me gjendjen. Po e pranojmë të keqen si të mirë. Nuk po protestojmë, nuk po denoncojmë, nuk po e kundërshtojmë të keqen. Po pranojmë të jetojmë në vendin që çdo institucion është i korruptuar. Dhe, po e paguajmë çmimin.

Ua pafshim hajrin unë bashkë me juve edhe më 2014,2015, 2016... 2025... Gëzuar!