LAJMI I FUNDIT:

Të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta

Shekuj më parë me fjalën pirat nënkuptohej një personazh i ngjashëm me Jack Sparrow ose nëse prekim skajet, një figurë e rrezikshme me këmbë të drurit dhe me një sy të mbuluar me rrip të zi. Flamuri me kafkën e bardhë, i kryqëzuar më poshtë nga dy copëza ashti, ishte simboli ogurzi për të gjithë tregtarët ujorë. Aplikimi i hajdutërisë ka qenë “shkenca e tyre “, laboratorium kishin detin, ndërsa rrëmbimi i mallrave dhe të mirave materiale nga njerëzit tjerë ishte suksesi shkencor i këtij komuniteti të keq. Kishin hapësirë veprimi, mirëpo jo gjithmonë “duart e lira”, meqenëse në momentin e kapjes, autoritetet shtetërore i dënonin me varje pa ndonjë gjykim të komplikuar.

Unë nuk do ta bëj pyetjen “kë ta varrim sot”, sepse jemi në një botë tjetër larg nga koha kur gjykimet ishin të tilla. Në vend të “litarit në fyt” më shumë pëlqej “ligjin përreth qafës” që ndëshkon rëndë, por nuk vret. Në fakt sot sa i përket hajdutëve nuk bën t’u dëmtohet kafka, por “monedhat e fshehura nën dhe” ose nëse gabimi ka qenë i rëndë t’i kufizohet lëvizja vetëm në nëntë metra katrorë . Ajo dhemb më shumë.


Në shekullin e “Marsit” dhe përpjekjeve shkencore për të ditur më shumë për Jupiterin apo Saturnin, teknologjia e avancuar dhe procesi i zbulimeve të shumta ka modifikuar edhe piratët që sot shfaqën të rafinuar dhe në disa raste, me të drejtë apo pa të, mbajnë edhe epitetin e biznesmenit në shoqëri. Sot janë në kostum, të dhënë pas Dolce & Gabanna, me një sy apo me dy nuk përbën dallim, në shumicën e rasteve arrogantë, nuk veprojnë më nga anijet, por kanë hedhur spirancën në tokë duke u vënë në krye të ndërmarrjeve, pikave të shitjes, organizatave transmetuese, shtëpive botuese duke shkelur çdo të drejtë të autorit apo bartësit të së drejtës në tërësi. Nga kjo, dikush ka ndërtuar “kështjella” dhe ka mbushur arkat e saj. “Punë e madhe” për të nëse është cilësuar hajdut për shkak pasurimit të tij në kurriz të autorëve kur ka sot atë çfarë të tjerët nuk e kanë. Niveli i tij është shumë i ulët për ta vrarë ndërgjegjja, atë duhet “vrarë” me ligj.

Për vite me radhë ka ekzistuar një fushe e gjerë ku ka qenë “i fshehur” ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta , që në fakt kishte pamjen e një trupi me mungesa të konsiderueshme në gjymtyrë. “Vënia në binarë” e këtij akti juridik shihej deri vonë si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj një rrjeti biznesesh të imta. Është shumë e vërtetë që zbatimi i ligjit vërtet vë në pikëpyetje ekzistencën e disave prej tyre, por meqenëse zhvillojnë aktivitet pasuror të paligjshëm atëherë ky veprim nuk bën të përmbajë nuanca të keqardhjes dhe mëshirës. Është komuniteti i autorëve apo bartësve të se drejtave ai i cili duhet të shijojë të mirën materiale nga vepra e tyre apo nga vepra që i është bartur e drejta ta shfrytëzoje. Organizatat, ndërmarrjet dhe individët që kanë punuar nën ombrellën e hajdutërisë ose të kalojnë dhe punojnë ligjshëm ose duhet të mbyllën. Nuk ka as mes dhe as kompromis.

Unë njoh shumë njerëz që kanë vënë në vështirësi ekonomike veten, ka prej tyre që kanë shitur pasuri të patundshme apo të luajtshme, kanë harxhuar mbi njëzet vite për të ardhur deri te një studim shkencor. Entuziazmi i tij me rastin e botimit ka pësuar goditje të jashtëzakonshme kur ka parë shtypjet e paligjshme që nesër. Atyre nuk u është falsifikuar libri/studimi shkencor por komplet jeta e tyre. “Perandoritë” ekonomike të krijuara në mënyrë të paligjshme kanë prodhuar varfëri të rënda në drejtim të njerëzve shpirtmirë që krijuan tërë jetën.

Shumë vite më herët “ Braveheart” kishte qenë filmi më i përfolur në kalldrëmet e qyteteve në vend. Kishte shumë fjalë që William Walles do të duhej të ishte “Skanderbegu “ në atë storie të filmuar , por në fund realizatorët kishin thyer mendjen . U përzgjodh skenar tjetër. Ndoshta e tëra është e pavërtetë, “ fjalë plakash” apo ëndërr e keqe e dikujt, por në anën tjetër si propozim nuk është abstrakt. Nuk i dihet kurrë. Qëllimisht e “përplasa” si temë punën e filmit më të mirë të Mel Gibson -it. Për një sekondë le ta marrim që ka qenë e vërtetë e tëra kjo. Le të supozojmë që kanë zgjedhur mes Gjergjit dhe William-it. Unë personalisht, nëse do të isha me rrënjë tjera etnike dhe të ndodhesha në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë realizuese do ta favorizoja skocezin meqenëse që në start lapsi im kishte punuar ndryshe. Sigurisht lapsi i producentit të huaj dhe ai imi janë “kushërinj”, meqenëse të dy kishin nxjerrë konkludim të njëjtë në pyetjen se : “sa kopje legale do të shiteshin te pasardhësit e Gjergjit”. Përgjigjja, bazuar në tregun e tanishëm do të ishte nga zero deri në njëqind, derisa kopjet e falsifikuara do të shkonin me qindra mijëra sosh. Te pasardhësit e Williamit është komplet storie tjetër. Industria perëndimore e filmit edhe pse ka treg të gjerë global edhe ajo vjen në një pozicion ku vlerësojnë ekonomistët e saj se cili skenar shet disa miliona më tepër. Nëse ka diçka të vërtetë në tërë këtë spekulim. atëherë jo vetëm Gjergji, por edhe shumë të tjerë do të bien “si kunguj” nga përzgjedhja përderisa gjendja e industrisë filmike është e tillë dhe “kusaria” në rajonin e populluar me shqiptarë është prezente në këtë nivel.

Në një shoqëri të shëndoshë, njerëzia i “mban krahun” organeve shtetërore në “vrasjen”“ e dukurive negative. Është detyrë që përkon me qytetarinë. Shkelja e të drejtave të autorit hyn në regjistrin e veprimeve që cilësohen me plot të drejtë si akte në kundërshtim me ligjin. Zhdukja e “epidemisë” së tillë është jo vetëm detyrim shtetëror por edhe individual njerëzor.

Për të mos marrë kah të njëtrajtshëm, të drejtat e autorit nuk janë “plagosur” vetëm nga shumëzimi ilegal i kopjeve qoftë filmike, muzikore apo letrare, por edhe nga dukuri tjera shkelëse ndaj komuniteteve te caktuara të ndërlidhura me të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Janë edhe njerëzit e “ngjyrave” që vuajnë. E drejta në rishitje (droit de suit) është dukuri e panjohur te poseduesit e veprave figurative edhe pse rishitje kanë bërë. Shoqëria arkitekturore e prekur po ashtu. Paguhet një projeksion për një shtëpi dhe më të ndërtohen “tri katunde”. Kjo deri tani ka qenë me të drejtë për “euronews”.

Shume shpesh, në mos sa herë që shiheshim, unë dhe Naser Gjinovci, njohës i fushës së drejtës autoriale dhe njëkohësisht solist i grupit “Minatori”, kemi diskutuar për të drejtat e autorit. Ishim “ustallarë në të folur”. Zbërthenim të gjitha pikat kundërthënëse që e ndëshkonin fushëveprimin e autorëve çdo ditë. Megjithatë, nuk i kishim “përvjelë mëngët” asnjëherë seriozisht, edhe pse kishim ngritur shumë herë zërin në emisione të përbashkëta dhe shkrime eventuale në media të shkruara. “Statika” vazhdoi deri para dy muajsh kur u gjendëm në tryezën e komisionit qeveritar për vlerësimin final të projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, i cili ditë më parë kaloi vlerësimin e komisionit dhe tani është në rrugë për miratim në kuvendin e Republikës së Kosovës .

Është vendi im i punës, por nuk mund të behëm aq modest e të mos e “nxjerri në tabelë” rolin, në muajt e fundit, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në përmirësimin e sferës ku janë të “pozicionuara” të drejtat e autorit dhe të drejtat fqinjësore. Djersa ka pikur në tavolinë dhe mbi dokumente vazhdimisht, derisa orari i stërzgjatur ka qenë “pjesë e jetës” këto ditë. Hartimi i projektligjit ka qenë fokusi kryesor dhe me përfundimin e tij, përqendrimin e kemi zhvendosur në informimin e masës së gjerë për nevojën e respektimit të se drejtave të autorit. Kemi vënë kontakte edhe me organe tjera shtetërore duke kërkuar ndihmën e tyre që ligji të funksionojë si duhet . Na janë dhënë sigurime të qëndrueshme për vullnetin e mirë dhe angazhimin eventual të tyre.

Në rrafshin e bashkëpunimeve dhe marrjes së mendimeve nga të tjerët, kemi konsultuar edhe eksperte vendorë të fushës përkatëse dhe vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me ta lidhur me secilën sfidë që shfaqet pritur apo papritur në rrugën e se drejtës autoriale. Kontributi i tyre ka qenë domethënës, si në aspektin teknik ashtu edhe në sferën motivuese.

Nga ana tjetër, autorët, intepretët dhe prodhuesit e fonogrameve kanë filluar të japin shenja të mira se organizimi i tyre do të fillojë shpejtë. Me përfaqësuesin e Zyrës për të drejtat e autorit (ZDA) – organ ky brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kemi takuar shumë prej tyre duke u garantuar mbështetje në çdo formë të lejuar. U kemi dhënë informacione mbi praktikat e mira të funksionimit të shoqatave për administrim kolektiv në vendet e Bashkimit Evropian duke u shpjeguan detajisht të mirat që vijnë nga organizimi i tillë, si dhe duke i vënë në kontakt me ekspertë rajonalë përmes konferencave/punëtorive që janë mbajtur ditëve të kaluara.

Evropa dikur ka qenë arenë e aleancave të shumta qofshin politike, ekonomike apo edhe ushtarake. Janë bashkuar forcat e kulturës dhe civilizimit të njëjtë ndaj dukurive të ndryshme negative që kanë shqetësuar qytetarët e saj. Ndërlidhjet e tilla kanë reflektuar energji të mbarë dhe kanë rezultuar të jenë efektive gjithnjë. Sot, përkitazi më këtë temë, ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta i duhen aleatë. I duhen qytetarët e Republikës dhe domosdoshmërish shoqatat për administrim kolektiv që përbëjnë mekanizmin kryesor lëvizës të ti . Grupimet e tilla do të jenë “injeksione vdekjeprurëse” ndaj shtypjeve të kopjeve në mënyrë të paligjshme dhe shfrytëzimeve tjera të të drejtave të autorit pa kompensim. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim edhe me institucionet tjera do t’i mbështesë në çdo rast organizimet e tilla të bartësve të të drejtave dhe veprimet konkrete të tyre.
Republika e Kosovës sot i nënshtrohet temperaturave të nxehta që përvëlojnë pothuajse çdo gjë jashtë. Sa i përket te drejtave të autorit nxehtësia do të vijojë edhe gjatë muajve “të bardhë”. Projektligji deri atëherë do të jetë kthyer në ligj, shoqatat kolektive do të duhej të licencoheshin nga Zyra për të drejtat e autorit, organizatat transmetuese do të ndodheshin në panik, “herkulesët” e pashkolluar ose të pamoralshëm të piraterisë do ta kenë më afër fundin derisa një shkrimtar me mjekër të bardhë do të ulet pranë oxhakut më një shpresë më afër realizimit.

Po kthehem te “Minatori edhe njëherë. Janë shumë interesante storiet e tij mbi “tantiemat” (kompensimet nga transmetimet) të marra dikur nga Radio Prishtina dhe radiotelevizionet tjera rajonale. Gjatë punës në komisionin për vlerësimin final të projektligjit, e mora vesh që kanë synim të kthehen shpejt me krijime të reja. Unë i sugjerova të presin pak. Të kthehen në një ditë të bardhë kur kushtet për të qenë “Minatori” janë më të mira, ku kënga “Me vjen të qaj/më vjen të shaj” do të ishte jo temë ditore, por një storie që e kallëzon të kaluarën. Naserit iu duk interesante kjo punë, i fërkoi duart dhe buzëqeshi. Sigurisht shpreson sërish që me ardhjen e albumit të ri të tyre, muajt e korrikut dhe gushtit në vitet që vijnë t’i “plakin” në Vlorë me të ardhurat nga “tantiemat” që iu kanë munguar më shumë se njëzet vite.

(Autori ka mbaruar Shkencat Politike dhe është këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit)