Tatuazhet mund të rrisin rrezikun e melanomës? Studimi që po alarmon ekspertët

A mund të mbrojnë tatuazhet lëkurën nga rrezet e dëmshme të diellit apo vetëm e përkeqësojnë shëndetin e saj? Një studim nga ekspertët e Universitetit Lund tregon se mund të ketë arsye për shqetësim
Njerëzit me tatuazhe kanë 29 për qind rrezik më të lartë për zhvillimin e melanomës, formës më vdekjeprurëse të kancerit të lëkurës, që shpesh lidhet me ekspozimin ndaj rrezatimit ultravjollcë. Megjithatë, tatuazhet nuk rezultuan të ishin faktor që rrit rrezikun e karcinomës planocelulare, llojit tjetër të kancerit të lëkurës të lidhur me dëmtimin nga rrezet UV. Edhe pse të dy kanceret ndajnë të njëjtin shkaktar, ato zhvillohen nga lloje të ndryshme qelizash dhe ndryshojnë në ashpërsi, me melanomën shumë më të rrezikshme.
Tatuazhet janë një formë e fuqishme vetë-shprehjeje dhe një pjesë e rëndësishme e identitetit modern. Në Suedi, rreth një në tre të rritur ka tatuazh, çka tregon se arti trupor është bërë plotësisht pjesë e kulturës kryesore. Por, pavarësisht popullaritetit të tyre, shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht nëse tatuazhet ndikojnë në shëndet dhe si mund të zhvillohen efektet e tyre me kalimin e viteve.
Epidemiologët po përpiqen të japin përgjigje për këto pyetje. Hulumtimi është sfidues sepse njerëzit që zgjedhin të bëjnë tatuazhe shpesh ndryshojnë nga ata që nuk tatuohen, në mënyra që mund të ndikojnë edhe në rezultatet e shëndetit.
Melanoma dhe karcinoma planocelulare zhvillohen ngadalë dhe janë relativisht të rralla, çka e bën kërkimin afatgjatë edhe më sfidues. Ndjekja afatgjatë e grupeve të mëdha të njerëzve, me tatuazh dhe pa tatuazh, do të ishte një proces i kushtueshëm dhe që kërkon shumë kohë.
Për këtë arsye, ekipi i ekspertëve nga Universiteti i Lundu përdori një qasje tjetër. Ata nisën me njerëzit që tashmë ishin diagnostikuar me kancer dhe u kthyen pas në kohë për të parë kush kishte tatuazhe. Ky lloj studimi, i njohur si “studim rast-kontroll”, është një mënyrë efikase për të zbuluar lidhje të mundshme. Nga Regjistri Kombëtar i Kancerit u identifikuan të gjithë personat e moshës 20 deri 60 vjeç të diagnostikuar me melanomë në vitin 2017, ose me karcinomë planocelulare midis viteve 2014–2017. Kjo përfshinte 2.880 raste melanome dhe 2.821 raste karcinome skuamoze. Për çdo rast, u zgjodhën tre persona të së njëjtës moshë dhe gjinie nga Regjistri i Popullatës së Përgjithshme, të cilët nuk kishin kancer të lëkurës.
Më pas, të gjithë pjesëmarrësve morën pyetësorë mbi tatuazhet, tatuazhet dekorative, grimim të përhershëm dhe tatuazhe mjekësore, si dhe mbi madhësinë, vendndodhjen dhe moshën kur ishin bërë tatuazhet. Kjo na mundësoi të përcaktonim nëse tatuazhi ishte bërë para apo pas zhvillimit të kancerit.
Në total, 5.695 persona morën pjesë në studimin mbi melanomën (1.598 me melanomë), dhe 6.151 në studimin mbi karcinomën skuamoze (1.600 me këtë lloj kanceri), transmeton Telegrafi.

Njerëzit me tatuazhe kishin 29 për qind rrezik më të lartë për zhvillimin e melanomës krahasuar me ata pa tatuazhe. Rritja e rrezikut ishte më e dukshme tek ata që kishin tatuazhe për më shumë se dhjetë vjet, megjithëse numri i pjesëmarrësve në këtë grup ishte i vogël, prandaj rezultatet duhen interpretuar me kujdes.
Sa i përket karcinomës planocelulare, tatuazhet nuk bënin dallim. Rezultatet ishin të qëndrueshme në të gjitha analizat, duke treguar se nuk ka lidhje mes tatuazheve dhe këtij lloji të kancerit të lëkurës. Po ashtu, nuk u gjetën prova që tatuazhet më të mëdha rrisin rrezikun. Kjo ishte e papritur, pasi tatuazhet e mëdha përmbajnë më shumë bojë, e cila potencialisht mund të ketë substanca të dëmshme.
Një shpjegim i mundshëm është se boja e tatuazheve nuk mbetet vetëm në lëkurë. Sistemi imunitar e njeh atë si substancë të huaj dhe transporton një pjesë të grimcave drejt nyjeve limfatike. Këto grimca mund të qëndrojnë atje afatgjatë. Edhe pse ende nuk e dimë nëse kjo shkakton dëm, teorikisht mund të nxisë inflamacion kronik, i cili lidhet me zhvillimin e kancerit.
Një shpjegim tjetër mund të jetë gabimi në matje, njerëzit kanë tendencë të përcaktojnë gabimisht madhësinë e tatuazheve të tyre. Studimet e ardhshme me matje më të sakta mund ta sqarojnë këtë çështje.
Stili i jetës dhe faktorët ngatërrues
Ajo që e bën këtë studim unik është gama e gjerë e faktorëve të stilit të jetës që janë marrë parasysh. Janë përfshirë të dhëna mbi ekspozimin ndaj diellit (në punë dhe gjatë kohës së lirë), përdorimin e solarit, duhanpirjen, nivelin e arsimit, statusin martesor dhe të ardhurat familjare. Po ashtu kemi marrë parasysh tipin e lëkurës, pigmentimin, moshën dhe gjininë.
Këto detaje janë të rëndësishme sepse mund të ndikojnë si tek vendimi për t’u tatuar, ashtu edhe tek rreziku për zhvillimin e kancerit. Për shembull, njerëzit që kalojnë shumë kohë në diell mund të jenë më të prirur të bëjnë tatuazhe, por edhe më të rrezikuar nga melanoma. Harmonizimi i këtyre dallimeve zvogëlon paragjykimin dhe rrit besueshmërinë e rezultateve.
Në hulumtime, ky problem njihet si konfundim. Nëse faktorët ngatërrues nuk kontrollohen si duhet, ata mund të shtrembërojnë rezultatet dhe të çojnë në përfundime të gabuara.
Një studim i fundit në SHBA sugjeroi se tatuazhet e mëdha madje mund të ulin rrezikun e melanomës, por ai studim nuk mori parasysh faktorë thelbësorë si tipi i lëkurës apo ekspozimi ndaj UV. Prandaj rezultatet e tij mund të pasqyrojnë sjelljen, jo biologjinë. Për shembull, njerëzit me tatuazhe të mëdha mund të shmangin diellin apo solarët për të mbrojtur tatuazhin, gjë që natyrisht ul dëmet nga UV.
Pra, a shkaktojnë tatuazhet kancer të lëkurës? Përgjigjja e thjeshtë është: ende nuk e dimë. Rezultatet tona sugjerojnë një lidhje të mundshme mes tatuazheve dhe melanomës, por një studim i vetëm nuk mjafton për të provuar lidhje shkak-pasojë.
Nevojiten më shumë kërkime për të studiuar mekanizmat biologjikë të mundshëm, si inflamacioni kronik, dhe për të hetuar si lloje të ndryshme boje apo pigmente reagojnë me rrezatimin UV. Përbërja e pigmenteve të tatuazheve ndryshon shumë, dhe shumë prej tyre përmbajnë substanca që mund të shpërbëhen në nënprodukte të dëmshme kur ekspozohen ndaj dritës së diellit apo trajtimeve me laser për largimin e tatuazhit. /Telegrafi/










































