LAJMI I FUNDIT:

Tarifat e reja të energjisë elektrike, qytetarët konfuzë – nuk dinë sa do të paguajnë

Qeveria e Kosovës ka miratuar bllok tarifat e reja të enegjisë elektrike, të popozuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE, sipas të cilave nga 9 shkurti, qytetarët e Kosovës, të cilët do të shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj, do të paguajnë faturat e energjisë elektrike me çmim më të lartë.

Mirëpo, përkundër sqarimeve nga Qeveria dhe ZRrE, qytetarët vazhdojnë të jenë konfuzë, duke mos e pasur të qartë se sa do të paguajnë për rrymën e shpenzuar.

Elmedina Zeneli qytetare e Mitrovicës, e cila gjatë dimrit ngrohet me rrymë, thotë për Telegrafin, se për muajin janar e ka paguar faturën e energjisë 200 euro. Mirëpo, ajo nuk e ka të qartë se sa do të paguajë, pas shtrenjtimit.


“Muajin janar kam paguar 200 euro. Jo vetëm mua edhe vëllaut edhe motrës, u ka ardhur njëjtë. Tash pas shtrenjtimit, nuk e di sa ka me ardh. Po e presim faturën, zoti e di. Me rrymë po e ngrohim banesën, të shohim sa po vjen tash”, tha ajo.

Mitrovicasi Musa Aliu thotë se e përkrah ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Unë për vete paguaj rrymë dikund 55 euro. Sa e kuptova ata që shpenzojnë deri në 800 kWh, nuk do të përfshihen në rritje. Kështu që po shpresoj që kam me mbete në këtë pozitën e njëjtë. Edhe shikoni mos e bëni shumë të madhe këtë punën e energjisë. Unë me plot dëshirë e përkrahi këtë. A ka thënë Albin Kurti po, po themi edhe ne të gjithë”, deklaroi Aliu, për Telegrafin.

Kurse mërgimtari Skënder Rrahmani, i cili jeton në Gjermani, thekson se edhe atje është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike.

“Une të them të drejtën nuk e di fare se sa do të vijë, për shkak se nuk jetoj në Kosovë. Mirëpo, mirë nuk kanë bërë që e kanë shtrenjtu. Une jetoj në Gjermani. 60 euro në muaj po paguaj atje, rrymë dhe gas. Por, është shtrenjtuar edhe atje energjia elektrike”, theksoi Rrahmani.

Edhe një mërgimtar tjetër, që jeton në Londër, Muhamet Miftari e pohon faktin që edhe në Britaninë e Madhe është ngritur çmimi i energjisë elektrike.

“Nuk jetoj në Kosovë, në Londër jetoj. Kurse rrymë atje i paguaj në muaj i paguaj 70 funte. Që i bie pothuajse 80 euro në muaj. Gjithkund është shtrenjtuar rryma, nuk është për tu çuditur. Mirëpo, për kushtet që janë këtu në Kosovë është shtrenjtuar shumë, sepse kushtet janë të liga”, tha Miftari.

Në anën tjetër, sipas Rexhep Kaçanikut, çmimi i rrymës ishte dashur të rritet, por jo deri në këtë masë.

“Herën e fundit kam paguar 123 euro. Kurse tash kam me pagu sigurt, 100 për qind më shtrenjtë. Konsideroj që rryma ka qenë dashur të shtrenjtohet, por jo në përqindje kaq të madhe. Duhet me qenë kompatibil me interesat e përgjithshme ”, u shpreh Kaçaniku.

Pensionistja Elmaze Zeka, konsiderton se një shtrenjtim i tillë i energjisë elektrike është vështirë i përballueshëm.

“Muajin e kaluar kam paguar 80 euro. Tash,, pas shtrenjtimit, nuk e di sa ka me ardh. Po thonë që shumë do të vijë, po mendoj që 150 ose 160 euro. E për neve është shumë”, tha ajo.

Në lidhje me aplikimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, kanë reaguar subjektet politike opozitare, për çfarë edhe është mbajtur një seancë e jashëtzakonshme e Kuvendit.

Opozita ka paralajmëruar edhe veprime konkrete në kundërshtim të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, deri në dërgimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese. 

Tarifat e reja të energjisë elektrike do të vlejnë nga 9 shkurti i këtij viti deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/