LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Çështje ditësh nënshkrimi i kontratave me bizneset që do të vendosen në zonën ekonomike

Tahiri: Çështje ditësh nënshkrimi i kontratave me bizneset që do të vendosen në zonën ekonomike

Komuna e Vushtrrisë brenda ditësh do të nënshkruajë kontratat individuale me bizneset që janë përzgjedhur për t’u vendosur në zonën ekonomike në Lumadh, nënshkrim ky që i hap rrugë bizneseve të fillojnë punën për vendosjen e tyre në këtë zonë.

Janë 22 biznese që janë përzgjedhur për t’u vendosur në këtë zonë e që parashihen të krijohen mbi 800 vende të reja të punës dhe 22 milionë euro investime.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, thotë se është çështje ditësh kur do të ndodh nënshkrimi i kontratave me bizneset, por që premton se do të ketë monitorim strikt të përmbushjes së kritereve nga ana e bizneseve.


Tahiri thotë se i tërë procesi i vendosjes së bizneseve është vlerësuar si plotësisht në përputhje me ligjin nga dy ministritë e linjës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Kuvendi i Komunës ka votuar vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike këtu në Lumadh, do të kemi afër 800 vende të reja të punës dhe do të kemi 22 milionë euro investime. I tërë ky proces është vlerësuar si plotësisht i ligjshëm nga dy ministritë e linjës edhe Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Tani jemi në fazën e përgatitjes së kontratave individuale me bizneset, shumë shpejt do të kemi nënshkrimin e kontratave nga këto biznese dhe pastaj do të fillojnë punën vet bizneset që të përgatisin terrenin për t’i vendosur bizneset e tyre. Do të kemi një monitorim strikt dhe një zbatim strikt të kushteve të kontratës në mënyrë që të mos lejojmë asnjë përfitues që të mos i përmbahet kushteve për të cilat është përzgjedhur këtu në zonën e biznesit, qoftë ato për punësim, qoftë ato për investim, por edhe kohën e realizimit të investimit”, thotë ai.

Afërsia me Prishtinën dhe qasja në autostradë, Tahiri thotë se e bëjnë të jetë një zonë ekonomike jashtëzakonisht strategjike.

Tahiri potencon se tashmë pothuajse është kompletuar infrastruktura e kësaj zone me rrugë, kanalizim, ndriçim dhe energji elektrike.

“Është një zonë jashtëzakonisht strategjike, sepse është shumë afër Prishtinës, me qasje në autostradë dhe do të krijojë mundësinë që të kemi deri në 800 vende të reja të punës për qytetarët e Vushtrrisë dhe kjo më gëzon jashtëzakonisht shumë në një kohë kur kemi kaq shumë nevojë për vende të reja të punës. Po ashtu, është një hapësirë shumë e mirë për zgjerimin e bizneseve në mënyrë që ta kenë një vend ku krejt infrastruktura siç po e shihni është e kompletuar pothuajse, rruga, kanalizimi, ndriçimi, energjia, po ashtu është një zonë e rrethuar që është edhe e sigurt në aspektin e sigurisë për bizneset që do të vendosen”, thotë Tahiri.

Tahiri potencon se në mesin e bizneseve që do të vendosen në zonën ekonomike ka biznese ndërkombëtare, derisa thekson se do të jenë banorët e Vushtrrisë ata që do të punësohen.

“Mjafton që të jenë qytetarë të Komunës së Vushtrrisë dhe banorë të Vushtrrisë të cilët do të punësohen, do të kemi edhe biznese ndërkombëtare që do të sjellin njohuri ekstra këtu në zonën ekonomike, do të kemi edhe biznese të diasporës. Por, e rëndësishme është që ne të kemi banorë të Vushtrrisë që do të punësohen, normalisht që jemi në një prej lokaliteteve më të mëdha të Vushtrrisë, Stanoci i Epërm, Stanoci i Poshtëm dhe Lumadh është bashkësia më e madhe lokale në Vushtrri dhe sigurisht që do të ketë përfitim shumë të madh edhe ky lokalitet nga ekzistimi i zonës ekonomike”, thotë ai.

Funksionalizimin e zonës ekonomike në Lumadh, kreu i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, e quan realizim të ëndrrës së vushtrriasve. Ai shprehet i lumtur që përkundër pandemisë ka arritur ta kompletojë këtë projekt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit që e drejton.

“Është një ëndërr e madhe e Vushtrrisë realizimi i zonës ekonomike. 20 vite pas luftës rregullisht është folur për nevojën për një zonë ekonomike dhe jam shumë i lumtur që në këtë mandat përkundër pandemisë dhe përkundër që kishim ndalje të krejt aktiviteteve të jetës dhe fokus shëndetin e qytetarëve ne arritëm që të kompletojmë këtë projekt jetik për qytetin e Vushtrrisë dhe për zhvillimin ekonomik lokal”, deklaron ai.

Pavarësisht që partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë kishin qenë pjesë e komisionit për përzgjedhjen e bizneseve që do të vendosen në këtë zonë ekonomike, Lëvizja Vetëvendosje dhe një pjesë e asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në votim.

Tahiri thotë se ata janë gabuar që për inate politike nuk e kanë votuar për vendosjen e bizneseve në zonën ekonomike.

“Mendoj që janë gabuar që për inate politike nuk e kanë votuar zonën ekonomike, më të vërtetë ky është një projekt përtej partive politike dhe përtej ngjyrimeve politike. Është një projekt ku përfiton secili qytetar i Vushtrrisë dhe nuk kam dashur që të bëhet temë politike. Edhe ministritë e linjës e kanë vërtetuar faktin që gjithçka ka qenë e ligjshme dhe transparente, ne kemi pasur edhe shoqërinë civile të përfshirë në procesin e përzgjedhjes së bizneseve edhe vet Vetëvendosje ka qenë pjesë e procesit të përzgjedhjes së bizneseve edhe PDK po ashtu, por që të dy këto parti vendosën që për arsye politike meqenëse është vit zgjedhor të mos e votojnë. Më vjen keq që kjo ka ndodhur kësisoj, por shpresoj shumë që edhe ata do të arrijnë ta promovojnë dhe të tejkalojnë petkun partiak e politik dhe të promovojnë Zonën Ekonomike si një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik lokal nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallime politike”, thotë ai.

Zona ekonomike në Lumadh të Vushtrrisë ka nisur ndërtimin në mars të vitit 2019./kp/