LAJMI I FUNDIT:

A do ta ketë Ushtrinë Kosova pa ndryshime kushtetuese?

A do ta ketë Ushtrinë Kosova pa ndryshime kushtetuese?

Aleanca e NATO-s ka dhënë shenja se ka hequr dorë nga kërkesa këmbëngulëse që për çfarëdo ndryshimi të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese.

Shenjat e tilla dalin nga ndryshimi i fjalorit të zyrtarëve të NATO-s në komentet e tyre për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të tri projektligjeve që kanë të bëjnë me zgjerimin e kompetencave dhe me mandatin e FSK-së.

Më parë, në disa raste, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë në mënyrë të prerë se ndryshimi i mandatit të FSK-së “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe kërkon ndryshimet e nevojshme kushtetuese”. Sipas deklaratave të mëparshme të Stoltenbergut, ky ishte “pozicioni i qartë i aleancës së NATO-s”.


Por, tashmë ka shenja që qëndrimi zyrtar i NATO-s, ka ndryshuar.

Zëdhënësja e aleancës së NATO-s, Oana Ingescu, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë që të konfirmojë nëse NATO-ja ka hequr dorë nga kërkesa që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese, ka theksuar se politika e kësaj aleance është e qëndrueshme.

“Në qoftë se mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të evoluonte, Aleancës Veriore -Atlantike do t’i duhej ta shqyrtonte shkallën e angazhimit të NATO-s në Kosovë. Gjithashtu, ne vazhdojmë të theksojmë se çfarëdo iniciativash që kanë të bëjnë me mandatin e FSK-së, duhet të konsultohen plotësisht me të gjitha bashkësitë në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s”, ka thënë Ingescu për Radion Evropa e Lirë.

Por, në deklaratën e saj, ashtu sikurse edhe në deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm që merren me këtë çështje, mungon porosia e qartë për domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, siç kanë qenë rastet e mëhershme.

Lidhur me miratimin në parim të tri ligjeve për FSK-në ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së për Radion Evropa e Lirë, thuhet se: “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale. Nxisim udhëheqësit politikë të Kosovës që të sigurojnë që procesi të vazhdojë në një mënyrë përfshirëse dhe shumë të kujdesshme që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që është e koordinuar ngushtë me aleatët nga NATO-ja”.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se vendimet e Kuvendit të Kosovës për tri ligjet për FSK-në janë rezultat i konsultimeve me aleatët që janë në NATO.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se autoritetet vendore janë duke zhvilluar kontakte zyrtare me selinë e NATO-s.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Pra, këtë duhet ta dijë çdokush. Jemi, po ashtu, në komunikim të vazhdueshëm me vende shumë të rëndësishme të NATO-s, si me: Amerikën, Gjermaninë, Anglinë, Italinë, Francën, me vende me peshë dhe themeluese. Procesi i mandatimit të ushtrisë, mos harroni, nuk janë kompetenca shtesë. Është mandat i ri për FSK-në. Pra, është mandati i Ushtrisë. Asgjë të mangët nuk ka në mandat FSK-ja se sa një ushtri e cilitdo vend”, ka theksuar Haradinaj.

Se bashkësia ndërkombëtare në heshtje më nuk po i reziston idesë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, tregoi reagimi më “i butë” i para disa ditëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, para miratimit të tri projektligjeve në Qeverinë e Kosovës, kishte deklaruar se nuk ka qenë e konsultuar për kohën e publikimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Vitin e kaluar, diplomatët amerikanë kanë pasur reagim krejtësisht tjetër, kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të vitit 2017 ia kishte proceduar Kuvendit të Kosovës, Ligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri. Ky veprim kishte hasur në kritika të ashpra të bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash të Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Në anën tjetër, Plator Avdiu, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se krahasuar me një vit më herët, qëndrimi i aleatëve të Kosovës brenda NATO-s, ka evoluuar.

Qëndrimi i mëhershëm kundërshtues i aleatëve brenda NATO-s, sipas tij, ka ndodhur për shkak se, institucionet e Kosovës nuk ishin konsultuar fare me ta e as me komunitetet brenda vendit.

“Këtë leksion e kanë kuptuar mirë institucionet e Kosovës dhe mendoj që është bërë një koordinim me disa prej shteteve goxha të fuqishme brenda NATO-s, – të mos them ndoshta transformimin – për kalimin e këtyre ligjeve dhe ndryshimin e mandatit dhe misionit aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka rezultuar me miratimin e tyre në parim, në lexim të parë”, vlerëson Avdiu.

Megjithatë, sipas Avdiut, nuk duhet pritur që NATO-ja të dalë me qëndrim të qartë përkrahjeje për formimin e Ushtrisë së Kosovës, për faktin se brenda kësaj aleance janë edhe vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nuk duhet të presim shume me optimizëm nga ana e NATO-s, për shkak se duhet të kuptohet pozicioni, në të cilin gjendet NATO, kur 4 shtete nuk e kanë njohur. Megjithatë, Kosova ka partnerë shumë të fortë në NATO, janë SHBA-ja dhe shtetet e tjera, të cilat fuqishëm janë duke e mbështetur procesin e krijimit të ushtrisë. Normalisht, tash pritet, diku në fazat e mëvonshme, besoj deri në fund të këtij vitit, të miratohen në mënyrë përfundimtare këto ligje, për shkak se aprovimi që është bërë, është vetëm në parim”, thekson Avdiu.

Sidoqoftë, Avdiu ka theksuar që kalimi i tri ligjeve për FSK-në në asnjë mënyrë nuk e pengon KFOR-in që të luajë rolin e tij në Kosovë. Ai ka shprehur besimin që kalimi i ligjeve për FSK-në, që ia ndryshojnë kësaj force mandatin dhe misionin, do të pranohen qoftë edhe në mënyrë të heshtur nga NATO.

Ndryshimet ligjore për zgjerimin e kompetencave të FSK-së i ka iniciuar kryeministri Ramush Haradinaj, në shtator të këtij viti. Ato kanë të bëjnë me strukturën, shërbimin dhe mandatin e FSK-së.