Gjykata Supreme ka aprovuar si të themeltë padinë e paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar një pjesë të Rregullores së Punës së këtij institucioni.

Në aktgjykimin me nr. P.A.nr.06/2025, Gjykata Supreme ka konstatuar se paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së (KPM-2025/01), e miratuar më 17 janar 2025, është në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye është shfuqizuar.


Ky vendim u mor pas shqyrtimit gjyqësor publik të mbajtur më 10 qershor 2025, në praninë e përfaqësuesve të palëve ndërgjyqëse.

Po ashtu, Gjykata ka vendosur që dosja e lëndës t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për të vendosur për ligjshmërinë e vendimit të kontestuar për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së, të miratuar po ashtu më 17 janar 2025.

Me këtë vendim, Gjykata i hap rrugë rivlerësimit të bazës ligjore mbi të cilën është zgjedhur udhëheqja e KPM-së.

IKD kishte kërkuar deklarimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e paragrafit 2 të nenit 3 të Rregullores së Punës së Komisionit të Pavarur të Medieve, i cili paragraf ishte shtuar në këtë rregullore në mbledhjen e KPM të mbajtur më 17 janar.

Gjithashtu, IKD kërkojë që vendimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, i marrë në po atë mbledhje, pas plotësim/ndryshimit të Rregullores, të deklarohet i paligjshëm.

“Përkundër dispozitave të qarta ligjore, në rastin konkret, kryetari i ri i KPM-së, në mbledhjen e 17 janarit 2025, është zgjedhur, sa ka qenë ende në ushtrim të pozitës kryetari i KPM-së, të cilit mandati i skadonte më 21 janar 2025”, thuhej në padinë e IKD-së. /Telegrafi/