Sulmohen policët në Prizren derisa po intervenonin në një rast të dhunës në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Poslishtë të Prizrenit një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ngjarja, sipas njoftimit, ka ndodhur më 19.01.2026, rreth orës 02:10.
Sipas njoftimit, pas mbërritjes së Policisë në vendin e ngjarjes, bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar të sulmojnë përsëri viktimën.
“Gjatë konfrontimit, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. Për të parandaluar sulmin dhe për të mbrojtur jetën e viktimës, policët kanë ndërhyrë me forcë, duke arritur ta vendosin situatën nën kontroll”, thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor.
“Gjatë përleshjes, disa policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Hetimet rajonale janë njoftuar dhe po e trajtojnë rastin”, thuhet në njoftim.
Ekipi i kujdestarisë nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është angazhuar në rast.
“Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes gjatë deklarimeve. Njëri prej tyre ka marrë ndihmë mjekësore për lëndime të pësuara gjatë arrestimit”, ka njoftuar tutje Policia.
Ndërsa thuhet se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orë për tre të dyshuarit.
Sipas Policisë ky është një rast ku shihet se me çfarë sfidash ballafaqohen pjesëtarët e saj në rastet e dhunës në familje./Telegrafi/




















































