Sukses për gjyqtarin kosovar Bajram Desku në Kampionatin Ballkanik në Rijekë

Në Kampionatin Ballkanik për Kadet, Junior dhe U21, që po mbahet në Rijekë, Kroaci, pjesë e ekspeditës së gjyqtarëve nga Kosova ishte edhe trajneri i KK “Arena” Pejë, Bajram Desku.
Desku iu nënshtrua provimit për gradë më të lartë në dy disiplinat Kumite dhe Kata, të cilin e kaloi me sukses, duke sjellë një arritje të rëndësishme për karaten kosovare.
Për këtë sukses, Desku shprehu mirënjohje ndaj Presidentit të Federatës së Karatesë së Kosovës, z. Besart Baruti, si dhe kryetarit të Komisionit të Gjyqtarëve, z. Ardian Muhadri, për besimin dhe delegimin.

Ai gjithashtu falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në këtë sukses, duke premtuar se do të vazhdojë me arritje të reja në të ardhmen.
Ky sukses i Bajram Deskut tregon përkushtimin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve kosovarë në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/




















































