Studimet tregojnë se macet pasqyrojnë personalitetin e pronarëve të tyre

Si karakteri i pronarit reflektohet tek macja juaj
Sipas një studimi të publikuar në revistën Plos One, macet imitojnë tiparet e personalitetit të pronarëve të tyre, veçanërisht karakteristika si ndërgjegjshmëria, ekstroversioni ose stabiliteti emocional.
Duke analizuar mbi 3000 pronarë macesh, studiuesit zhvilluan një seri pyetësorësh për të vlerësuar tiparet e personalitetit të pjesëmarrësve sipas modelit psikologjik të “Pesë dimensioneve të mëdha të personalitetit”. Ky model fokusohet në lidhjen mes gjuhës, fjalorit dhe pesë dimensioneve kryesore të personalitetit: ekstroversioni, bashkëpunueshmëria, natyra e këndshme, ndërgjegjshmëria dhe neuroticizmi.
Studimi arriti në përfundimin se disa tipare të vërejtura te pronarët pasqyroheshin edhe te macet e tyre. Për shembull, pronarët me një shkallë më të lartë neuroticizmi kishin mace që shfaqnin ndryshime të ngjashme në sjellje, ndërsa pronarët e vlerësuar si ekstrovertë kishin mace që shijonin daljet jashtë dhe shoqërimin me kafshë të tjera. Ky hulumtim lidhet me studime të mëparshme mbi mënyrën se si stilet prindërore mund të ndikojnë në personalitetin e fëmijës, transmeton Telegrafi.
“Shumë pronarë i konsiderojnë kafshët shtëpiake si anëtarë të familjes dhe krijojnë lidhje të ngushta me to”, tha për The Telegraph bashkautoreja e studimit mbi mirëqenien e kafshëve, Lauren Finka, nga Universiteti Nottingham Trent, duke shtuar: “Prandaj është shumë e mundur që mënyra si ndërveprojmë me ta dhe personaliteti ynë të ndikojë te kafshët tona.”
Megjithatë, Finka thekson se nevojiten ende shumë kërkime për të kuptuar më mirë këtë marrëdhënie dhe për të përcaktuar deri në çfarë mase tiparet dhe zakonet e pronarit ndikojnë në mirëqenien dhe sjelljen e maceve të tyre. /Telegrafi/



















































