LAJMI I FUNDIT:

Studentët e mjekësisë protestë kundër vendimit të qeverisë shqiptare për punësim të detyruar

Studentët e mjekësisë protestë kundër vendimit të qeverisë shqiptare për punësim të detyruar

Studentët e Mjekësisë kanë mbajtur këtë të enjte një protestë për të kundërshtuar projektligjin e qeverisë që i detyron të punojnë 5 vite në spitalet brenda vendit për të marrë diplomën.

Nën thirrjet “Bashkohuni me ne”, “E duam Mjekësinë si gjithë Europa” apo dhe “Anuloni vendimin, zero kompromis!”, studentët u grumbulluan në Fakultetin e Mjekësisë dhe marshuan drejt Kuvendit të Republikës.

Studentët e cilësojnë ligjin si një masë ekstreme që nuk duhet të miratohet në parlament. Ata nënvizojnë se nuk do të largohen nga ambientet e parlamentit deri sa të anulohet ky vendim.


Kujtojmë se Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin për atë që qeveria e cilësoi si trajtimi prioritar i studentëve të Mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve.

Sipas këtij projektligji, studentët që do të pranohen në vit të parë në Mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje per t’u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, duke ju garantuar punësimin dhe politika të tjera lehtësuese. Ndërsa, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundësi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërt, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura. /Telegrafi/