Faza e tretë e kampionatit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut nisi sot me duelin mes Strugës dhe Makedonija Gj.P., ku skuadra e Strugës arriti një fitore bindëse para publikut vendas, njofton Telegrafi.

Struga regjistroi fitoren e dytë në sezonin pranveror dhe të parën në fazën e tretë të kampionatit, pasi në shtëpi mposhti Makedonija Gj.P. me rezultat të thellë 3-0.


Takimin e zhbllokoi Memetria Hamza, edhe pse te goli pati një gabim të madh nga portieri mysafir Jankov. Për Hamzën ky ishte goli i katërt këtë sezon në kampionat, në 22 paraqitje.

Pas golit të parë ritmi i lojës ra disi, ndërsa mysafirët provuan të reagojnë me më shumë agresivitet dhe presion. Megjithatë kjo u kushtoi shtrenjtë, pasi Struga shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe përmes Bojkut në minutën e 26-të dyfishoi epërsinë në 2-0.

Pak minuta më vonë Jevtovski nga goditja e lirë goditi traversën e portës mysafire, por sulmuesi 28-vjeçar nuk gaboi në rastin e dytë dhe në minutën e 41-të shënoi edhe golin e tretë për Strugën, duke çuar rezultatin në 3-0.

Në pjesën e dytë vendasit luajtën më qetë, duke ruajtur forcat për sfidat e radhës, ndërsa “luanët” nuk arritën të krijojnë raste serioze për të rrezikuar portën e Strugës. Në fund, pikët me meritë mbetën në Strugë, pranë brigjeve të Liqenit të Ohrit.

Në javën e ardhshme Struga do të luajë në udhëtim ndaj Pelisterit në Manastir, ndërsa Makedonija Gj.P. do të përballet me Shkëndijën. /Telegrafi/

Kampionati vazhdon me këto peballje:
E diel (15 mars)
Tikveshi – Shkupi (12:00)
Shkëndija – Arsimi (14:30)

E hënë (16 mars)
Sileks – Pelister (14:30)
Bashkimi – Rabotniçki (14:30)

telegrafi sport app