Stadiumi kryesor i qytetit të Gjilanit ka nisur të rinovohet që nga viti 2016, por edhe pse kanë kaluar nëntë vite, punimet ende nuk kanë përfunduar dhe vazhdojnë të zhvillohen.

Në këto kushte, që nga viti 2021, klubet Drita dhe Gjilani kanë filluar të luajnë në stadiumin ndihmës, i cili po del të jetë një zonë e rrezikshme për futbollistët.


Gjendja e keqe e terrenit ka shkaktuar një numër të madh lëndimesh serioze tek lojtarët e të dy klubeve. Te Drita, futbollistët Hasan Gomda, Ilir Mustafa, Florian Smakiqi, Faton Maloku, Blerim Krasniqi dhe Juan Mesa janë disa nga ata që kanë pësuar lëndime të rënda gjatë ndeshjeve ose stërvitjeve në këtë fushë.

Ndërkohë, edhe te Gjilani janë regjistruar lëndime serioze për shkak të gjendjes së fushës. Futbollistët Shend Kelmendi dhe Betim Halimi kanë këputur ligamentet, ndërsa Blend Krasniqi dhe Endri Reçi kanë pësuar po ashtu lëndime të rënda.

Gjithashtu, sezonin e kaluar Oltion Billalli përjetoi një gjakderdhje në tru pasi ra nga një duel ajror në këtë terren të vështirë.

Drejtori sportiv i FC Dritës, Valon Zymberi, shpreh shqetësimet e tij lidhur me gjendjen e stadiumit ndihmës, duke thënë se është një fushë shumë e ngarkuar dhe se mirëmbajtja nuk është e mirë.

“Ky stadium është shumë i ngarkuar, pasi nuk shfrytëzohet vetëm nga dy klubet e superligës si Drita dhe Gjilani për ndeshje dhe stërvitje, por nga të gjitha kategoritë dhe shkollat e futbollit në regjionin e Gjilanit. Është shumë i ngarkuar dhe mirëmbajtja nuk është e mirë për atë vjen dhe deri te lëndimet e futbollistëve", deklaroi Zymberi për Telegrafin.

Valon Zymberi

"Ne kemi bërë kërkesë në FFK që të ndryshohet tapeti i stadiumit, por nuk e di ku ka mbetur kjo çështje, gjithashtu nga Komuna kemi bërë kërkesë që të zgjerohen tribunat dhe jemi në pritje".

Tutje Zymberi thotë se Mesa u lëndua pa kontakt me asnjë bashkëlojtarë në stërvitje për shkak të gjendjes së keqe.

“Sigurisht që është një problem për ne si klub pasi po hasim në lëndime të futbollistëve dhe ndër vite na kanë lënduar lojtare kyç si rasti i fundit i Juan Mesas i cili është lënduar në stërvitje pa kontakt me askënd vetëm shkaku i terrenit që është jashtëzakonisht i keq".

“Kjo fushë gjithashtu na ka penalizuar që të marrim edhe futbollistë të tjerë, pasi shumë nga ta edhe nga jashtë nuk kanë pranuar të vijnë të luajnë te ne vetëm shkaku i fushës".

Nga ana tjetër, menaxheri i klubit të Gjilanit, Drilon Sylejmani, thekson se tashmë është bërë e tepërt të diskutohet për këtë terren dhe situata po ndikon rëndë tek futbollistët.

“Tashmë është bërë e tepërt të flitet për këtë fushë. Është e dhimbshme të shohësh futbollistët të cilët e vuajnë dhe ankohen në vazhdimësi dhe askush nuk ndërmerr masa. Ne klubet jo rrallë herë me mjete vetanake jemi munduar ta mirëmbajmë, por është e pamundur për shkak të mbingarkesës.”

Ai shton edhe më tej rreth problemit me lëndimet dhe sfidat me të rinjtë.

“Fusha në të cilën stërvitemi dhe njëkohësisht zhvillojmë ndeshjet po na shkakton jo pak telashe, pasi që çdo edicion po përballemi me lëndime serioze të futbollistëve. Fusha tashmë është amortizuar për shkak të ngarkesës së madhe dhe normalisht që edhe për mirëmbajtje është më e vështirë.”

Drilon Sylejmani

“Problemet kryesore nuk i kemi vetëm me lëndime, por edhe me ardhjen e futbollistëve të rinj, të cilët normalisht që po hezitojnë”, tha Sylejmani.

Menaxheri i kuqebardhëve thotë se një zgjidhje urgjente është e domosdoshme për fushën e stadiumit ndihmës.

“Një zgjidhje urgjente do të ishte e domosdoshme në këto momente, pasi që pasojat do ti vuajmë në vazhdimësi.”

Në këtë situatë të rënduar, ku stadiumi kryesor në Gjilan vazhdon të jetë në rikonstruksion që prej vitit 2016 dhe ende nuk është përfunduar, stadiumi ndihmës po rezulton të jetë një rrezik serioz për futbollistët e dy klubeve më të mëdha të qytetit.

Lëndimet serioze, gjendja e amortizuar e fushës dhe mungesa e mirëmbajtjes po bëjnë që klubet dhe lojtarët të vuajnë çdo ditë.

Një ndërhyrje urgjente duket e domosdoshme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme dhe për të siguruar kushte më të mira për zhvillimin e futbollit në këtë rajon.

Dy klubet e qytetit të Gjilanit, Drita dhe Gjilani janë ndër skuadrat më të organizuara në Kosovë, por fatkeqësisht ato luajnë në një terren skandaloz. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app