Spitali i Pejës realizoi mbi tre mijë operime gjatë vitit të kaluar

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë vitit të kaluar, duke realizuar gjithsej 3,279 operime, apo rreth 9 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Sipas njoftimit të spitalit, ky volum pune nënkupton një mesatare prej rreth 13 operimesh të kryera në çdo ditë pune, duke reflektuar përkushtim të lartë profesional dhe përgjegjësi maksimale ndaj pacientëve.
Nga menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë theksohet se këto rezultate janë dëshmi e kapaciteteve profesionale të stafit shëndetësor, funksionimit të qëndrueshëm të reparteve kirurgjikale dhe besimit të vazhdueshëm të qytetarëve në shërbimet shëndetësore që ofron ky institucion.
Sa i përket repartit me numrin më të madh të operimeve, kryeson Kirurgjia me 1,453 ndërhyrje, e ndjekur nga Obstetrika me 633 operime dhe Urologjia me 433 operime.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë vlerëson se këto shifra pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Pejës dhe rajonit. /Telegrafi/


















































