Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka njoftuar se ekipet kujdestare gjatë ditëve të vikendit kanë qenë dukshëm të ngarkuara me punë, veçanërisht në Shërbimin Emergjent, Pediatri, Laborator dhe Radiologji.

Sipas të dhënave zyrtare, ndihmë mjekësore emergjente kanë marrë gjithsej 225 pacientë.


Nga ta, Shërbimi i Laboratorit ka realizuar analiza për 136 pacientë, duke përfshirë një numër të madh parametrash laboratorikë.

Ngarkesë e konsiderueshme është evidentuar edhe në Shërbimin e Pediatrisë, ku ndihmë mjekësore kanë kërkuar 262 fëmijë.

Pas vlerësimit mjekësor, 10 fëmijë janë ndaluar për trajtim të mëtejmë në repart.

Ndërkohë, Shërbimi i Radiologjisë ka kryer 69 radiografi dhe 37 tomografi të kompjuterizuara, ndërsa gjatë vikendit janë realizuar edhe tetë lindje.

Nga Spitali i Mitrovicës është bërë apel që pacientët, për rastet që nuk janë emergjente, fillimisht t’u drejtohen Qendrave të Mjekësisë Familjare, me qëllim të shmangies së mbingarkesës së Shërbimit Emergjent, Pediatrisë dhe shërbimeve të tjera spitalore. /Telegrafi/