SPB Tetovë: Qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë sezonit të ngrohjes, të mbrohen nga zjarret e mundshme

SPB Tetovë ka dalë me apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë sezonit dimëror dhe si të mbrohen nga zjarret e mundshme.
Nga SPB u rekomandojnë pronarëve dhe banorëve të ndërtesave dhe shtëpive që të pastrojnë oxhaqet, por edhe të mos i mbingarkojnë instalimet duke ndezur disa pajisje elektrike në të njëjtën kohë.
"Me fillimin e sezonit të ngrohjes, rritet ndjeshëm mundësia e zjarreve, kryesisht si pasojë e pakujdesisë njerëzore, instalimeve elektrike të vjetruara dhe të amortizuara në ndërtesa, furrave me defekt dhe oxhaqeve të papastruara në shtëpi ose ndërtesat e banimit. Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë u bën apel qytetarëve për kujdes maksimal, përkatësisht të mos i lënë të ndezura trupat ngrohës kur nuk janë në shtëpi apo në hapësirat e punës për një kohë të gjatë, e sidomos jo ngrohëset, kondicionerët apo stufat me dru".
"Sepse, nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël për të shkaktuar zjarr me pasoja serioze materiale dhe të tjera. Kjo vlen veçanërisht për ndërtesat e banimit, ku lokalizimi i zjarreve është shumë më i vështirë, për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shumë prej tyre dhe qasjes së vështirësuar në ndërtesa, kryesisht për arsye ndërtimore apo të tjera".
"Pronarëve dhe banorëve të ndërtesave u rekomandohet të kontrollojnë dhe pastrojnë oxhaqet, të paktën dy herë në vit, por edhe të mos i mbingarkojnë instalimet duke ndezur disa pajisje elektrike në të njëjtën kohë. Kjo pasi, sipas nenit 288 të Kodit Penal, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, përbën vepër penale për të cilën është parashikuar dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, e nëse është kryer nga pakujdesia, dënimi është deri në tre vjet burg".
"Prandaj, u bëjmë apel qytetarëve t'i respektojnë këto udhëzime, për të parandaluar zjarret e mundshme dhe me këtë të parandalojnë pasoja më serioze për jetën dhe pasurinë e tyre, si dhe jetën dhe pasurinë e të tjerëve", thonë nga SPB Tetovë.


















































