Spahiu optimist para AEK-ut: Kemi ende punë për të bërë në Evropë

Shkëndija e Tetovës ndodhet përballë një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit evropian. Të enjten, kuqezinjtë janë mysafirë të AEK Larnaca në Qipro, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të UEFA Ligës së Konferencës, duel që mund të përcaktojë vazhdimësinë e ekipit tetovar në arenën ndërkombëtare edhe gjatë pranverës, njofton Telegrafi.
Në prag të kësaj përballjeje vendimtare, optimizëm shpreh edhe Sebastjan Spahiu, i cili po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë.
“Ndjehem shumë mirë, jo vetëm për golin ndaj Slovan Bratislavës, por kam filluar të ndjehem mirë e më mirë, pasi e dinë të gjithë se nuk kam qenë në fazë përgatitore dhe tani e kam marrë veten mirë”, u shpreh mesfushori kuqezi.
Spahiu, i cili gjatë verës kishte disa alternativa për të vazhduar karrierën në kampionate të tjera, zgjodhi Shkëndijën për shkak të projektit dhe ambicieve të klubit, si në garat vendore ashtu edhe në debutimin historik në fazën kryesore të UEFA Ligës së Konferencës.
“Këto janë ndeshje që duhen shijuar. Për këtë kam ardhur në fazën kryesore të Ligës së Konferencës, por edhe për grupin. I falënderoj të gjithë çunat për mënyrën si më kanë pritur. Po ndjehem shumë mirë këtu”, tha 26-vjeçari nga Shkodra.
Ai mbetet optimist edhe për vazhdimin e sezonit, duke theksuar se Shkëndija synon rikthimin në garën për titull në pranverë, por pa e lënë pas dore objektivin evropian.
“Sigurisht që besojmë se do ta përmbysim situatën në kampionat. Në Shkup është shumë e vështirë të na mundin në Ligën e Konferencës dhe si ekip ndjehemi shumë mirë”, përfundoi Spahiu.
Skuadra qipriote hyn në këtë përballje si favorite absolute, duke qenë se ende nuk ka pësuar asnjë humbje, ndërsa Shkëndija kërkon rezultat pozitiv ose, në rastin më të keq, të mbajë gjallë shpresat përmes skenarëve të tjerë. Edhe një humbje në Qipro nuk do ta përjashtonte automatikisht ekipin e Jeton Beqirit nga gara, pasi ekzistojnë disa kombinime që mund ta çojnë Shkëndijën në play-off.
Në rast disfate ndaj AEK-ut, kuqezinjtë do të kenë nevojë që Crystal Palace të mposhtë KuPS-in, Zrinjski të mos fitojë ndaj Rapidit, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në fushën e liderit Strasbourg. Nëse këto rezultate përputhen, Shkëndija do ta siguronte vazhdimin e rrugëtimit evropian edhe pas fazës së grupeve. Në të kundërtën, shpresat do të zhvendosen te dështimet eventuale të Sigma Olomouc, Universitatea Craiova dhe Lincoln, skuadra që aktualisht ndodhen në pozitat 22, 23 dhe 24, po ashtu me nga 7 pikë.
Xhiroja e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës do të zhvillohet më 18 dhjetor, datë që mund të përcaktojë fatin evropian të Shkëndijës për këtë sezon. /Telegrafi/











































