LAJMI I FUNDIT:

Sot përfundon ultimatumi i Sindikatës së Doganës ndaj Qeverisë

Sot përfundon ultimatumi i Sindikatës së Doganës ndaj Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka kohë deri në mesditë që të kthejë për zyrtarët doganorë statusin e zyrtarit publik të uniformuar dhe të garantojë paprekshmërinë e pagave të tyre nga projektligji për pagat, përndryshe Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës paralajmëron greva.

Këto dy kërkesa të tyre, zyrtarë të kësaj sindikate i parashtruan të enjten në një konferencë për media, ku edhe dhanë ultimatumin e tyre për Qeverinë.


Sipas tyre, krejt kjo është bërë për të mbrojtur pagat dhe statusin e mëhershëm të zyrtarëve të doganës, të cilin e kanë pasur deri më 29 janar të këtij viti, kur Komisioni për Administratë Publike ka amandamentuar Projektligjin për pagat e sektorit publik.

Ziavere Keqmezi, anëtare e kryesisë dhe njëherësh kryesuese e Këshillit grevist, bëri të ditur se kanë lënë hapësirë deri sot për të parë nëse do të përfillen kërkesat e tyre.

“Në rast që nuk plotësohen kërkesat e tona, ne sot kemi paralajmëruar edhe grevën e cila është dashur të ndodhë nga ora 14:00-15:00, në të gjitha pikat doganore dhe në zyrat e brendshme dhe sektorët tjerë, mirëpo e kemi shtyrë, sepse kemi marrë informata se nga takimet që ka pasur kryesia jonë me ministrin e Financave, Bedri Hamza, pasi që kemi marrë premtime, do t’i japim hapësirë dialogut deri nesër në ora 12:00. Përndryshe, nëse nuk do të respektohen këto ndryshime, dhe të bëhen ndryshimet me amandament shtesë, atëherë ne do të vazhdojmë grevën”, tha ajo.

Kryetari i kësaj sindikate, Ali Vitija tha se kërkojnë rangim të njëjtë me zyrtarët tjerë të sigurisë, sikurse janë Policia dhe AKI-ja.

Sipas tij, ndryshimi nga statusi i zyrtarit publik të informuar në shërbyes civil për zyrtarët e Doganës, bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me misionin e Doganës. /Telegrafi/