Site icon Telegrafi

SOS Fshatrat e fëmijëve – vendi ku fëmijët pa përkujdesje prindërore gjejnë kujdes dhe dashuri

Mbi 40 fëmijë të grupmoshave të ndryshme për gjatë vitit 2023 gjetën kujdesin dhe dashurinë në SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Fëmijët pa përkujdesje prindërore gjetën mbështetje tek sos nënat dhe sos tezet, duke ua krijuar atyre një familje.

Ora Bytyçi, drejtoreshë e programit në SOS Fshatrat e Fëmijëve në një intervistë për Telegrafin e ka quajtur vitin 2023 si sfidues, ndërsa tha se gjatë këtij viti kanë pasur 41 fëmijë për të cilët janë kujdesur.

Në intervistë ajo theksoi se SOS Fshatrat e Fëmijëve është një fondacion, i cili kujdeset për fëmijët në rrezik.

“Ne kemi filluar në Kosovë menjëherë pas luftës edhe arsyeja se pse SOS Fshatrat e Fëmijëve ka filluar në Kosovë, ka qenë pikërisht për shkak të ngjarjeve të luftës. Kur shumë fëmijë kanë mbetur pa përkujdesje prindërore, kanë humbur prindërit e tyre dhe projekti jonë në fillim më tepër ka filluar që në atë fazën emergjente që të strehojë dhe të kujdeset për fëmijët pas luftës”, tha ajo.

Bytyçi tha se në SOS Fshatrat e Fëmijëve kanë dy programe.

“Sot ne kemi disa programe: Programi i Kujdesit Alternativ që është baza e SOS Fshatrave të fëmijëve. Është një program ku kujdesemi për fëmijët pa përkujdesje prindërore, sos familjet tona, të cilat përbëhen nga sos nëna dhe sos tezja, të dyja punëtorët e sosit, stafi i sosit, të cilët të cilat përkujdesen për fëmijët. Një sos familje mund t’i ketë deri në pesë fëmijë dhe si e tillë quhet sos familje”, potencoi ajo.

Ajo pohoi se momentalisht kanë shtatë familje ku janë të vendosur 37 fëmijë.

Gjithashtu, ajo tregoi se fëmijët jetojnë në “SOS fshatra” deri në moshën 18-vjeçare, ku pastaj vazhdojnë më programin tjetër, ku dalin si të pavarur.

“Kur i mbushim 18 vjet, ne e kemi programin me gjysmë pavarësimi ku fëmijët, të rinjtë tanë, nuk jetojnë më në ambientet e SOS-it po dalin si të pavarur e jetojnë vet apo edhe me shokët dhe shoqet e veta, po qe ne i përkrahim edhe tri vitet e ardhshme financiarisht, derisa ata të pavarësohen”, potencoi ndër tjera ajo.

Drejtoresha Bytyçi vlerësoi se viti 2023 ka qenë shumë sfidues, por megjithatë ka qenë i menaxhueshëm.

“Sa i përket 2023, nuk ka qenë vit i lehtë, ka qenë vit shumë sfidues, sikurse edhe në gjithë botën. Duke marrë parasysh krizën e cila e ka kapluar botën, sigurisht që kjo na ka prekë edhe ne si sos fshat po që ia kemi arrit që që ta menaxhojmë dhe që të kemi një vit të suksesshëm”, deklaroi ajo për Telegrafin.

Më tej, ajo dha detaje për numrin e fëmijëve që kanë nën kujdes.

“Gjatë këtij viti ne jemi kujdesur për 41 fëmijë në programin e kujdesit alternativ në sos familjet tona, për 14 të rinj të cilët kanë qenë dhe janë në programin e gjysmë pavarësimit dhe për 600 fëmijë të cilët janë në programin e fuqizimit të familjes”, u shpreh ajo.

Duke folur për festat e fundvitit brenda SOS –Fshatrave, Bytyçi tha se kanë dekoruar pishën me fëmijë dhe se po e përmbyllin vitin me sukses.

Në fund ajo u shpreh e lumtur që fëmijët e SOS Fshatrave janë nxënës të dalluar, ku në mesin e tyre ka futbollistë, balerinë etj.

“E kemi suksesin, në mesin e fëmijëve tanë kemi nxënës shumë të mirë. Kemi balerina, kemi futbollist, kemi muzicientë dhe kemi talente të ndryshme. Çfarë është e rëndësishme për ne është që ne po e përmbyllim këtë vit me të gjithë fëmijët të lumtur. Ata kanë përkrahje, kanë vetëbesim dhe kjo është krejt misioni i SOS Fshatit, që fëmijët të cilët janë pjesë e programit tonë, posaçërisht t’i kenë të drejtat e barabarta me të gjithë të tjerët dhe të ndihen mirë, të ndihen si pjesë e shoqërisë”, theksoi mes tjerash ajo.

Për vitin 2024, Bytyçi pohoi se do të vazhdojnë me kujdesin për fëmijët që familjet e tyre janë në rrezik dhe të shtojnë kujdesin që ato familje të mos shpërbëhen e po ashtu ajo tha se do të punojnë edhe për punësimin e të rinjve që kanë dalë nga SOS – Fshatrat./Telegrafi/

 

Exit mobile version