Një skandal i ri bastesh po e trondit UFC-në dhe situata është përshkallëzuar më tej pasi dy luftëtarë pranuan publikisht se në të kaluarën u janë ofruar para për kurdisje ndeshjesh.

Sipas MMA News, këto zbulime vijnë vetëm një ditë pasi gazetari i njohur i MMA-së, Ariel Helwani, raportoi se shumë luftëtarë morën oferta për të humbur ndeshjet e tyre me qëllim.


Luftëtarët konfirmuan dyshimet

Luftëtari i peshave të lehta, Vince Morales konfirmoi në rrjetet sociale se iu ofruan 70,000 dollarë për të kurdisur një nga ndeshjet e tij.

"E gjithë kjo punë e kurdisjes së ndeshjeve është çmenduri! Më ofruan ta bëja dhe nuk është diçka me të cilën mund të jetoj... edhe pse përfundova duke e humbur ndeshjen e mallkuar gjithsesi", shkroi Morales në një postim që është fshirë më pas.

Pas tij, foli edhe luftëtarja e peshave të lehta Vanessa Demopoulos. Në një koment në Instagram, ajo zbuloi se kishte marrë një ofertë të ngjashme.

"Integriteti im nuk do ta lejonte kurrë këtë. Ne e kemi kaluar jetën tonë duke mësuar aftësitë dhe duke respektuar këtë sport. Nuk mund ta besoj që njerëzit do të bënin kompromis me moralin e tyre në këtë mënyrë", ka thënë Demopoulos.

Lufta e dyshimtë që shkaktoi një ortek

E gjithë çështja arriti kulmin pas një ndeshjeje të dyshimtë midis Isaac Dulgarian dhe Yadier Del Valle, të zhvilluar më 1 nëntor në UFC Vegas 110. Edhe pse Dulgarian hyri në ndeshje si një favorit i madh, shanset e basteve ranë ndjeshëm në orët para ndeshjes.

Bastet e mëdha për një fitore të Del Valle, veçanërisht një përfundim në raundin e parë, i detyruan disa agjenci bastesh të pezullonin bastet, dhe disa madje ofruan rimbursime.

Gjatë vetë ndeshjes, Del Valle e rrëzoi lehtësisht Dulgarianin dhe në fund e detyroi të dorëzohej që në raundin e parë.

Gazetari i MMA-së, Harry Mac, pretendon se FBI-ja njoftoi UFC-në për rrethana të dyshimta, ndërsa Helwani raportoi se Dulgarian dhe ekipi i tij siguruan promovimin se gjithçka ishte e pastër.

Mac deklaroi gjithashtu se FBI-ja kishte sinjalizuar më shumë se 100 ndeshje për shkak të lëvizjeve të dyshimta të çmimeve.

Vetëm 24 orë pas humbjes së diskutueshme, Isaac Dulgarian u shkarkua nga UFC dhe tarifat e tij të ndeshjes u mbajtën nga Komisioni Atletik Shtetëror i Nevadës. /Telegrafi/

telegrafi sport app