Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Pejës, Komuna e Pejës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” pronarin e kompanisë “Dukagjini”, Ekrem Lluka, për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe sportiv të qytetit.

Gjatë ceremonisë solemne të mbajtur me këtë rast, Komuna e Pejës vlerësoi lart veprimtarinë e Ekrem Llukës pas luftës, duke theksuar se ai ishte i pari në Pejë që hapi dyert e kompanisë së tij për të mbështetur ringjalljen e jetës mediale, kulturore dhe sportive në qytet.


“Është njeriu i parë që vuri në funksion një radiostacion dhe një studio televizive pas luftës. Është njeriu që pa u ndalur mbështeti formacionet sportive, veçanërisht basketbollin, për ta bërë Pejën kryeqytet të këtij sporti. Ai promovoi autorë dhe botime, duke u bërë shtyllë e përhapjes së fjalës së lirë në Kosovën e pasluftës”, deklaroi moderatorja e ngjarjes.

Përmes një kontributi shumëdimensional që përfshin ndërmarrësinë, median, botimet, ndërtimtarinë, sigurimet dhe sportin, Ekrem Lluka është konsideruar figurë kyçe në zhvillimin e Pejës së pasluftës.

Duke pranuar titullin nga kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri,  Lluka u shpreh falënderues:
“Faleminderit kryetar, faleminderit Kuvendit Komunal, faleminderit qytetarëve për respektin që ma bëni. Faleminderit”, deklaroi Lluka.

Komuna ka ndarë dekorata edhe për personalitete tjera të qytetit.