Si t’i përgjigjeni me qetësi një personi që ju ofendon, por e doni dhe respektoni

Psikologu i njohur thotë se nga kjo fjali secili do të ndihet i turpëruar
Kur një mik ju bën një vërejtje të papritur dhe fyese, ajo dhemb më shumë sesa një koment i pakëndshëm nga një i huaj.
Sara Jane Ho, prezantuese e emisionit të Netflix “Mind Your Manners” dhe autore e librit me të njëjtin titull, ka një qëndrim mjaft të qartë se si të përballeni me një koment të pasjellshëm dhe me ofendime, pa e ulur tjetrin.
Ja si t’i përgjigjeni një vërejtjeje të vrazhdë dhe të ndërprisni negativitetin në situata shoqërore.
Fraza që vendos në vend çdo person që ju ofendon, pa e lënduar
“Nëse është një mik që më ka thënë diçka keqdashëse, zakonisht e ngre shikimin dhe i them: ‘A je mirë?’”
Këto tre fjalë mund të sinjalizojnë me mirësjellje se ajo që miku juaj tha ishte e papërshtatshme.
Ho thekson se po aq i rëndësishëm është toni sa edhe vetë fjalët. Kur thoni “A je mirë?”, mos e thoni shkurt ose ashpër, por me një ton miqësor.
“Unë nuk i përgjigjem me ofendim. Flas sikur po shqetësohem, ndërsa kjo zakonisht e vendos tjetrin në vend,” thotë ajo për CNBC, përcjell Telegrafi.
Ndonjëherë, kur miku është në gjendje të keqe mendore, komente të tilla mund të bëhen të shpeshta.

A duhet t’i kthejmë ofendimin?
Nëse këto ulje fillojnë të ndodhin shpesh, është në rregull t’i ktheni përgjigje, thotë Thema Bryant, profesore e psikologjisë në Universitetin Pepperdine dhe ish-presidente e Shoqatës Amerikane të Psikologjisë.
Vetëm mos e bëni këtë “në mënyrë armiqësore ose grindavece”, shton ajo, ndërsa kujton se edhe Sigmund Freud kishte dhënë një këshillë të shkëlqyer për reagimin.
“Kur dikush thotë diçka që ju ul, hidheni poshtë me një fjali të vetme”, shpjegon Bryant. “Krijoni një kundërpeshë që të mos mbetet pezull në ajër si një e vërtetë.”
Si ta përfundoni në mënyrën më të mirë një miqësi të keqe?
Nëse miqësia është bërë e paqëndrueshme, qoftë për shkak të qëndrimit negativ të mikut, qoftë për arsye më të lehta si largimi i natyrshëm - është në rregull ta përfundoni marrëdhënien.
Ekzistojnë mënyra për ta mbyllur lidhjen pa qenë të ashpër, thotë Bryant.
Ja tre hapa për t’i thënë dikujt “jo” në mënyrë të sjellshme:
▪ “Sapo ta kuptoni se nuk dëshironi më të jeni të lidhur me atë person, është më mirë ta komunikoni sa më shpejt,” thotë Bryant.
▪ Nëse zakonisht u përshtateni të tjerëve ose shmangni konfliktet, kjo mund të jetë e pakëndshme, por afatgjatë është një veprim që meriton respekt.
▪ “Kur e shmangni dikë, mund ta lëndoni edhe më shumë”, shton ajo.
Mos i renditni të gjitha të metat e tij. Jepni arsyen tuaj për ndërprerjen e miqësisë në një mënyrë të matur, për t’i dhënë pak qartësi, por nuk keni pse “të nxirrni të gjithë listën e ankesave ndaj tij nëse nuk po përpiqeni ta rregulloni marrëdhënien,” thotë Bryant.
Qëndroni të vendosur në vendimin tuaj. Mos e vazhdoni miqësinë vetëm për lehtësi. Kjo mund të duket sikur po e shmangni mikun kur keni plane, por e kërkoni kur ndiheni të mërzitur, shton Bryant. /Telegrafi/

















































