Si t’i motivojmë fëmijët të shkojnë me dëshirë në shkollë apo kopsht? Psikologu Visar Sadiku jep këshilla

Psikologu klinik Visar Sadiku, gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë” e mbështetur nga United Hospital, ka folur për mënyrat më të mira për t’i ndihmuar fëmijët që të shkojnë me dëshirë në kopsht apo në shkollë.
Sipas tij, qasja graduale dhe mbështetja emocionale e prindërve janë çelësi.
“Në fillim, prindi duhet të jetë prezent në kopsht gjatë kohës që fëmija qëndron aty. Megjithatë, fëmija duhet të informohet që prania e prindit do të ndryshojë gradualisht: sot jemi këtu, nesër pak më larg, dhe pasnesër edhe më larg”, theksoi Sadiku.
Ai shtoi se largimi i prindit nuk duhet të ndodhë papritur, por duhet të shoqërohet me një proces të përforcimit të vazhdueshëm përmes shpërblimeve simbolike dhe motivimit pozitiv.
“Fëmija nuk do të pranojë kompromise të lehta vetëm pse e kupton se prindi po largohet. Prandaj duhet ta mbajmë të motivuar, duke i ofruar shpërblime të vogla për bashkëpunimin. Kështu ai e fiton atë sepse ka pranuar largimin gradual të prindit”, tha Sadiku.
Sipas psikologut, pas dy javësh zakonisht vërehen shenja të para të qëndrueshmërisë emocionale dhe sigurisë tek fëmija.
Prindi mund të fillojë të largohet më shumë, por gjithmonë duke ruajtur kontaktin dhe besimin.
“Fëmija e krijon besimin. Nëse i themi se kur akrepi i orës të vijë në këtë vend unë do të vij të të marr, atëherë fëmija do ta shikojë orën dhe do të mësohet të presë. Kur prindi vjen në kohën e premtuar, fëmija bindet, qetësohet dhe sigurohet që prindi është gjithmonë aty për të”, u shpreh Sadiku.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë në Youtube:



















































