LAJMI I FUNDIT:

Si të ndërtoni një qendër SPA private në shtëpinë tuaj

Si të ndërtoni një qendër SPA private në shtëpinë tuaj

Të kesh këndin tënd të mirëqenies po bëhet imperativ në dekorimin e ambienteve të brendshme të banimit

Kjo është tendenca më e fundit në rendin e përgjithshëm të zakoneve të jetesës së shëndetshme

Nga vaskat e para të xhakuzit në banja, kemi arritur në qendra të plota SPA në shtëpi, me disa lloje saunash, dhoma kripe, dushe me sensorë dhe banja e vaska të ndryshme.


Përparësitë e një qendre SPA personale janë të shumta, nga qasja e lehtë, personalizimi, jeta më e shëndetshme, deri te higjiena e përgjithshme.

Argumentet kundër, siç janë mungesa e hapësirës apo çmimi, tashmë janë minimizuar nga oferta e larmishme në treg, e cila ofron zgjidhje për çdo hapësirë dhe çdo xhep, transmeton Telegrafi.

Pra, çfarë ju nevojitet që edhe ju të shijoni qendrën tuaj SPA?

Filloni me hapësirën që dëshironi të transformoni në një SPA, madhësia dhe forma e saj do të përcaktojnë përmbajtjen e mundshme.

Është gjithashtu e rëndësishme që kjo hapësirë të jetë e izoluar mirë dhe me instalime të mira. Nëse ka ndriçim natyral, ky është një plus shtesë dhe, nëse jo, do ta kompensoni me ndriçim relaksues të ambientit.

Sauna

Kur përmendet SPA, zakonisht mendojmë fillimisht për saunat. Saunat e shtëpisë mund të gjenden në materiale, dimensione dhe metoda të ndryshme ngrohjeje. Zgjidhni atë që ju kënaq më shumë dhe sipas numrit të njerëzve që do ta përdorin në të njëjtën kohë. Kushtojini vëmendje konsumit të energjisë.

Zgjidhni vendin ideal për të, sipas këshillës së prodhuesit dhe nëse ju pëlqen më shumë, mund të zgjidhni edhe një sauna që vendoset jashtë.

Dhomat e kripës

Terapia me kripë të Himalajeve ka përfitime të shumta dhe për këtë arsye përdoret shpesh në mirëqenie. Mund të jetë vetëm një detaj si një llambë sauna, ose si një e tërë në vetvete – një dhomë me kripë ose një sauna me kripë.

Një arsye tjetër për të pasur një sauna me kripë në shtëpi është se ajo mund të përdoret nga të gjithë, pa kufizime, edhe nga anëtarët më të vegjël, është veçanërisht e përshtatshme për sëmundjet e frymëmarrjes dhe alergjitë.

SPA dhe vaska xhakuzi

Pavarësisht nëse zgjidhni një vaskë klasike, apo një nga vaskat e integruara të xhakuzit të teknologjisë së lartë, është e sigurt që do t’i shijoni në maksimum. Vaskat hidro dhe me presion, ndriçimi dhe muzika e integruar, gjithçka është krijuar tashmë që ju të zhyteni në ditën tuaj ideale për SPA.

Aromaterapia

Një qendër SPA është e paimagjinueshme pa aroma relaksuese që kontribuojnë në kënaqësi dhe relaksim të plotë. Pajisuni me vajra esencialë, ndërsa qirinjtë aromatikë mund të shërbejnë edhe si aksesorë për një atmosferë romantike. /Telegrafi/