Si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të punës Lobit Euro-Atlantik Shqoptar, dhe shoqatës “Albnor Rogaland”, në qytetin Sandnes të rajonit të Rogaland, për herë të parë është hapur shkolla shqipe.

Kryetari i Lobit për Norvegji, Fehmi Bekteshi, i cili bëri hapjen zyrtare të shkollës, ka thënë se LEASH, ka punuar shumë gjatë dy viteve për këtë nismë.


Bekteshi shprehu gatishmërinë dhe optimizmin për hapjen e shkollave shqipe edhe nëpër qytete të tjera.

"Angazhimi i LEASH-it, për hapjen e kësaj shkolle ka qenë në vazhdimësi përgjatë dy viteve. Ne si organizatë, po ashtu dhe shoqatë "Albnor Rogaland", jemi duke punuar që të rrisim numrin e shkollave shqipe edhe në qytetet e tjera të Norvegjisë, aty ku ka më shumë shqiptarë", tha Bekteshi.

Tutje shtoi se shkolla shqipe ka rëndesi të veçantë për komunitetin shqiptar.

259088993 259488816220373 6040958676004874398 n

"Ne duhet të punojmë shumë si komunitet shqiptar, përfshirë Ambasadën e Kosovës në Oslo, që të hapim sa më shumë shkolla shqipe - kjo si mënyrë për ta mbajtur gjallë, gjuhën, kulturën e traditën shqiptare. Këto janë të ndërlidhura sëbashku", theksoi kryetari i Lobit në Norvegji.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së shkollës shqipe ishte edhe Ambasadori i Kosovës Uliks Emra.

Ai këtë ngjarje e quajti arritje të madhe të komunitetit shqiptar në Norvegji.

“Jam i nderuar dhe privilegjuar me pjesëmarjen në këtë ngjarje historike. Uroj të pranishmit, veçanërisht organizatorët, nxënësit, mësuesit dhe prindërit për këtë arritje të madhe” tha ambasadori në  fjalën e tij.

Emra ka apeluar tek prindërit që t'i përgjigjen masivisht kësaj iniciative, duke theksuar se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës së shenjtë shqipe në Diasporë./Telegrafi/