Si po ndikon teknologjia në vonesat e fëmijëve për të folur, flet logopedja Kabashi

Logopedia Luljeta Kabashi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur për çrregullimet si dhe vonesat në të folur tek fëmijët si pasojë e qëndrimit të gjatë para ekraneve.
Kabashi theksoi tutje se përdorimi i tepërt i teknologjisë është shumë i dëmshëm për trurin e fëmijës.
“...kjo është një temë shumë serioze dhe shumë aktuale, sepse po merr përmasa të mëdha, po jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën. Përdorimi i tepërt i teknologjisë është shumë i dëmshëm për trurin e fëmijës, edhe për të folurit, mënyrën se si sillen dhe agresivitetin në moshë të hershme.
Teknologjia në parim të folurit po e ndikon sepse fëmija po bëhet eholalik që i bie ato janë vetëm përsëritje të fjalëve që i dëgjon në atë aparat që e ka para vete dhe kjo po e kufizon zhvillimin e përditshëm”, tha ajo.
Kabashi tutje tha se fëmija në periudha të ndryshme mëson e shton fjalorin.
“Nëse me dy vjet i ka 200 fjalë, me 3 vjet duhet me i pas 300, 400 fjalë me e rrit fondin e fjalëve, në mënyrë që ky fond të mundësojë edhe zhvillimin e inteligjencës. Është një korrelacion i ngushtë në mes të folurit, gjuhës dhe inteligjencës”, u shpreh ndër të tjera Kabashi.
Më poshtë mund ta ndiqni podcastin e plotë, ku logopedja Kabashi flet për çrregullimet në të folur, ndikimin e teknologjisë, belbëzimin, disleksinë, etj. /Telegrafi/

































