LAJMI I FUNDIT:
Peja 5° fog

Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së rëndë në Pejë

Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së rëndë në Pejë

Seanca fillestare e paraparë të mbahej të martën në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj Edmond Lajqit, i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti, është anuluar.

Mbrojtësja e Lajqit, avokatja Zana Krasniqi nuk ka mundur të paraqitet në seancë për arsye shëndetësore.

Kështu bëri të ditur gjyqtari i rastit, Musë Povataj, i cili tha se Krasniqi e ka njoftuar mbrëmë përmes telefonit se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë e pranishme në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Andaj, seanca e sotme është anuluar, ndërsa e radhës është caktuar për ditët në vijim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Lajqi akuzohet për vrasjen e gruas së tij tani të ndjerës Gj.U., e i cili pas aktit të vrasjes ishte paraqitur vetë në Polici duke iu thënë e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gj., ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psiqike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga një sëmundje, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbetej vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka.

Me ç’rast, thuhet derisa viktima ka qenë duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës, i pandehuri ka shtënë në drejtim të viktimës.

“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë””, thuhet në aktakuzë.

Për këtë veprim, i pandehuri Lajqi ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173, par. 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën (pistoletën model “Zoraki 917-T”) me karikator, në atë mënyrë që me të ka privuar nga jeta viktimën (bashkëshorten e tij) Gj.U.

Andaj, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. /Telegrafi/