Shtohen kontrollet në trafik në Ferizaj, 194 gjoba brenda 24 orëve

Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në komunikacionin rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në trafik.
Sipas komunikatës për media, gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar gjithsej 194 gjoba kundërvajtëse, ndërsa pesë shoferë janë ndaluar për kundërvajtje më të rënda, për të cilat parashihet masa mbrojtëse e heqjes së patentë shoferit për një periudhë të caktuar. Po ashtu, është konfiskuar edhe një automjet.
Llojet e kundërvajtjeve të evidentuara përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë me 45 raste, parkimin e parregullt me 40 raste, mosrespektimin e shenjave të komunikacionit me 21 raste dhe ngarkesën e parregullt në automjet me 13 raste. Ndër të tjera, janë evidentuar edhe 10 raste të xhamave të errët, 9 raste të përdorimit të telefonit gjatë ngasjes, 4 raste të mospërdorimit të rripit të sigurisë dhe 4 raste të drejtimit të mjetit pa patentë shofer.
Po ashtu, janë regjistruar 3 raste të kyçjes së parregullt në rrugën kryesore dhe 2 raste të drejtimit të automjeteve me skadim të regjistrimit, ndërsa 43 gjoba janë shqiptuar për kundërvajtje të tjera.
Gjatë kësaj periudhe janë raportuar gjithsej 5 aksidente trafiku, prej të cilave 2 me lëndime, ku janë lënduar 4 persona, si dhe 3 aksidente me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë.
“Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik në numrin 192 ose përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro policinë’”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/




















































