Komuna e Shtimes ka bërë hapin drejt një investimi të rëndësishëm në infrastrukturën sportive, me planin për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Hendbollit në qytet.

Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, ka pritur në takim Presidentin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, dhe anëtarin e Bordit të FHK-së, Isak Osmani, ku u diskutua mbi zhvillimin e sportit dhe perspektivën e hendbollit në vend.


Projekti parashikohet të realizohet në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Kryetari Aliu theksoi gatishmërinë e komunës për bashkëpunim dhe mbështetje në realizimin e projektit, duke e konsideruar si një vlerë të shtuar për të rinjtë, komunitetin lokal dhe sportin kosovar në përgjithësi.

“Me z. Edi Kolgeci zhvilluam bisedë të frytshme, të hapur dhe konstruktive lidhur me mundësinë e ndërtimit të Qendrës Nacionale të Hendbollit në qytetin e Shtimes, në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030. Shpreha gatishmërinë dhe interesimin për bashkëpunim dhe kontribut konkret në zhvillimin e infrastrukturës sportive, duke besuar se ky projekt përbën vlerë të shtuar për komunën tonë, të rinjtë, komunitetin dhe sportin kosovar në tërësi”, tha Aliu.

Nga ana e tij, Presidenti i FHK-së, Edi Kolgeci, vlerësoi vizitën në Shtime si shumë pozitive dhe falënderoi kryetarin Aliu për mbështetjen në avancimin e projektit.

Ai theksoi se lokacioni i paraparë ofron kushte të favorshme për aktivitete të ndryshme sportive dhe se priten takime të tjera me institucionet qendrore për të përshpejtuar realizimin e projektit dhe fillimin sa më të shpejtë të punimeve. /Telegrafi/