Një shtëpi e veshur me dru, me çati prej dërrasash të sheshta, fsheh në brendësi një enterier mahnitës me pamje drejt liqenit

Projektuar për të pasur ndikim minimal në mjedis dhe për t’u ofruar banorëve përjetime të plota me të gjitha shqisat, kjo shtëpi është destinacion ideal për pushim në harmoni me veten dhe me natyrën.


Plotësisht e integruar në peizazhin pyjor dhe shkëmbor kanadez, shtëpia e quajtur Muskoka Cottage ndodhet buzë liqenit dhe është e veshur me dru kedri të punuar në mënyrë të përafërt dhe me dërrasa tradicionale çatie.

Klientët dëshironin një shtëpi pushimi që të përdorej gjatë gjithë vitit, të ishte mikpritëse për mysafirët, por njëkohësisht e rehatshme për familjen e tyre pesëanëtarëshe. Duke ndjekur këto kërkesa, arkitektët e studios Akb Architects projektuan një shtëpi familjare që ndjek terrenin dhe kushtet klimatike, duke i kushtuar kujdes të veçantë ndikimit minimal në mjedis.

Shtëpia prej druri pranë liqenit me çati të pjerrët të mbuluar me dërrasa – e përputhur plotësisht me natyrën

Shtëpia me sipërfaqe prej 700 metrash katrorë përbëhet nga tre vëllime të ndërlidhura, që formojnë një tërësi funksionale me të gjitha hapësirat e nevojshme për jetë dhe pushim të rehatshëm. Format e saj të thjeshta dhe volumetrike janë në thelb moderne, por pasurohen me karakteristika lokale që i japin ndjesinë e kasolles elegante pyjore, si çatitë dykahëshe me oxhaqe të theksuara dhe përdorimi dominues i materialeve drusore.

Në pjesën qendrore të shtëpisë ndodhen hapësirat e përbashkëta, që formojnë zonën e ditës, ndërsa përreth tyre janë të vendosura dhomat e gjumit me banjat dhe ambientet ndihmëse.

Enterier elegant dhe i ngrohtë me pamje mbresëlënëse drejt liqenit

Hapësira e përbashkët është e ndarë me delikatesë në zona, duke përdorur konstruksione të ndryshme të tavaneve, mbi zonën e ndenjes ndodhet një çati e pjerrët e veshur me lis evropian të gdhendur me dorë, e cila shtrihet si strehë mbi tarracën e hapur përgjatë gjithë gjatësisë së zonës ditore.

Për të dalluar kuzhinën dhe zonën e ngrënies si hapësira më intime, në këto pjesë është përdorur tavan i rrafshët me të njëjtin material. Vazhdimësia e materialeve është e dukshme në gjithë zgjidhjen e enterierit, duke i dhënë ndjesinë e koherencës, elegancës dhe sofistikimit.

Interieri i brendshëm është përqendruar në materiale natyrore: elemente betoni të punuar me dorë, mobilie kuzhine të integruara me muret dhe të njëtrajtshme me sipërfaqen e granitit të ishullit qendror. Mobiliet e rehatshme dhe tapetet në tone neutrale i japin ngrohtësi arkitekturës, e cila qëndron mes sharmit rustik dhe minimalizmit të rafinuar.

Një mur i kombinuar me panele xhami fikse dhe të lëvizshme në anën e liqenit bën që hapësira e përbashkët të shkrihet me natyrën, duke ofruar pamje spektakolare dhe dritë natyrore të bollshme.

Punimi mjeshtëror, me lidhje precize të materialeve dhe tekstura të theksuara, krijon një atmosferë që përjetohet me të gjitha shqisat.

Në qendër të zonës së ditës ndodhet oxhaku, si pikë grumbullimi dhe ngrohtësie, i plotësuar me një mbajtëse origjinale druri për ngrohje, që thekson natyrën organike të shtëpisë, të konceptuar për të “plakur” me hijeshi.

Pozicioni i volumit kryesor në një terren të pjerrët natyror ka mundësuar ndërtimin e niveli të poshtëm me dalje direkte në shtigjet që çojnë drejt shtëpisë së varkës dhe bregut të liqenit.

Në këtë nivel më të ulët janë vendosur sauna finlandeze, palestër, dhomë rekreacioni, dhomë miqsh dhe ambientet ndihmëse.

Ambienti i qetë dhe harmonia e brendshme e kësaj shtëpie buzë liqenit, së bashku me zgjidhjet e menduara arkitektonikisht dhe zgjedhjen e kujdesshme të materialeve, kanë bërë që vija ndarëse mes natyrës dhe ndërtesës të bëhet e padukshme, duke i dhënë pushimit në këtë hapësirë një dimension të ri qetësie dhe përjetimi.

PLANI

/Telegrafi/