LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari nga Strellci, më i kërkuari në Austri (Video)

Shqiptari nga Strellci, më i kërkuari në Austri (Video)

Gjatë ditës është lansuar për përdorim Rrjeti evropian për kërkim aktiv të të arratisurve, ENFAST, në përkrahje me Europolin.

Aktualisht, në këtë iniciativë marrin pjesë 22 shtete dhe në të ndodhej edhe një i arratisur kosovar, i kërkuar nga autoritetet vjeneze.

Himë Lufaj, sipas ueb-faqes thuhet se është personi më i kërkuar në Austri.

I lindur në vitin 1984 në Strellc të Deçanit, Lufaj është në kërkim të autoriteteve që nga muaji prill i 2009-s, e shpërblimi për çdo informatë që mund të çojë në arrestimin e tij dhe ekstradimin në Kosovë, është 10 mijë euro.


Lufaj kërkohet për tentim vrasjen e një polici vjenez, të cilin e kishte therur disa herë me thikë. Lufaj, po ashtu, kishte tentuar të plaçkiste një grua në Austri dhe plagosi ashpër prapë me thikë, një kalimtar që deshi ta ndihmonte gruan.

Policia vjeneze ka konstatuar siç shkruan në përshkrimin e të kërkuarit se vendqëndrimi i të dyshuarit është Deçani, raporton KTV.

Përndryshe kjo ueb-faqe është themeluar si iniciativë që t’u vështirësohet kriminelëve të zhduken në një shtet tjetër. Nën adresën www.eumostwanted.eu mund të gjenden të gjitha informatat rreth kriminelëve.

Pos kosovarit Lufaj në këtë listë ka edhe serbë, boshnjakë e të tjerë, e i pari në listën e të kërkuarve është Salah Abeslam, njëri prej sulmuesve të 13 nëntorit në Paris.

Në këtë ueb-faqe secili shtet, respektivisht Policia, mund të vë së paku dy kriminelë më të kërkuar.