Me rastin e 28 Nëntorit, 101 vjetorit të pavarësisë, kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani është uruar nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Në mesazhin e Obamës thuhet “Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta. Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan. Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike. Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”.


Mesazhe urimi kreut të shtetit shqiptar i kanë shkuar edhe nga liderët e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi.
Liderët e Kosovës dhe subjektet politike kanë uruar të gjithë shqiptarët kudo që janë për këtë festë të lavdishme të historisë kombëtare.

Në mesazhin e kryeministrit Thaçi drejtuar homologut Edi Rama thuhet se “Kaloi më shumë se një shekull pavarësi të shtetit shqiptar, akti më i rëndësishëm i historisë së kombit shqiptar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, duke sublimuar kështu përpjekjet e pareshtura të popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur. 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Është vlerë që duhet të ruhet dhe kultivohet në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do vijnë”.

“Në këtë përvjetor Shqipëria gjendet shumë më e konsoliduar si shtet me frymën e re të rilindjes, i anëtarësuar në NATO, me liberalizim të vizave dhe një prej vendeve që po kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës shtetit shqiptar për kontributin që ka dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane”, thuhet në telegramin e urimit.

Ndërsa, edhe kryeparlamentari Krasniqi ka uruar shqiptarët për këtë festë.

Duke i përgëzuar për këtë ditë të lavdishme të historisë kombëtare, ai përkujtoi përpjekjet mbinjerëzore të shqiptarëve që nga periudha e luftërave të jashtëzakonshme të Skënderbeut, Rilindjes Kombëtare e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot shqiptarët përulen me nderim të madh përpara Flamurit, Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit, me bindjen e madhe se edhe më të vullnetshëm do ecim drejt progresit të gjithëmbarshëm, unitetit kombëtar dhe integrimeve euroatlantike”, thuhet në mesazhin e urimit të Krasniqit.

Me rastin e festës kombëtare, Bashkia e Tiranës, ka organizuar një sërë aktivitetesh të cilat fillojnë në orën 10:00 dhe përfundojnë në orën 20:00. Ndërkaq, aktivitete me rastin e 28 Nëntorit do të organizojë edhe komuna e Prishtinës.

Ndryshe, Kosova sot feston edhe Ditën e daljes publike e UÇK-së dhe ditëlindja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Për këtë ditë përfaqësues të ndryshëm të Institucioneve të Kosovës do të bëjnë homazhe në Prekaz dhe pranë varrezave të dëshmorëve në gjithë territorin e Kosovës. /Telegrafi/