Shqipëria publikon listën për “finalen” me Poloninë – Sylvinho lë në tribunë tre emra të rëndësishëm

Kombëtarja e Shqipërisë ka zyrtarizuar listën me 23 futbollistë për ndeshjen vendimtare të “play-off”-it ndaj Polonisë, një përballje që mund të përcaktojë fatin e kuqezinjve drejt Kupës së Botës 2026.
Në këtë listë bie në sy mungesa e tre emrave të njohur: Nazmi Gripshi, Klisman Cake dhe Jasir Asani, të cilët janë lënë jashtë nga përzgjedhësi Sylvinho.
Ky është një vendim që pritet të ngjallë diskutime, duke pasur parasysh kontributin e tyre në ndeshjet e mëparshme.
Në anën tjetër, risi në listë është përfshirja e mbrojtësit nga Kosova, Bujar Pllana, i cili shpërblehet me një ftesë të rëndësishme në një moment kyç për ekipin.

Paraqitjet e tij të fundit në Superligën e Polonisë duket se kanë bindur stafin teknik për t’i besuar një rol në këtë sfidë delikate.
Shqipëria udhëton drejt Polonisë me objektiv të qartë: fitore dhe kualifikim. Presioni është i madh, por edhe besimi brenda grupit mbetet i lartë. /Telegrafi/





















































