LAJMI I FUNDIT:

Shpirti i vitit 2019

Shpirti i vitit 2019

Njësoj si në vitin 1848, 1968, 1989 dhe 2010-2012, një valë protestash popullore e ka zënë botën në befasi. Revolta masive të vazhdueshme – në Bejrut, Santiago, Hong Kong, Algjer, Bagdad dhe qytete të tjera – po fitojnë forcë dhe po rrëzojnë qeveri. Por, edhe pse tundimi për të kërkuar krahasime historike është i kuptueshëm, kryengritjet e vitit 2019 gjithashtu kanë një shije të veçantë.

Rreth një dekadë më parë, shumë në Perëndim iu referuan “pranverës së popujve” të vitit 1848 kur përshkruan lëvizjet protestuese që filluan në Tunizi dhe u përhapën në Egjipt, Libi, Siri dhe vende të tjera arabe. Në të njëjtën mënyrë, shumë nga libanezët që takova gjatë një vizite të fundit në Katar nuk kishin asnjë dyshim se një cikël i ri “Pranvere Arabe” po shpalosej sot, përveç se këtë herë në një shkallë globale dhe dukej se shoqërohej me emocion dhe ankth.


Protestat e sotme mbajnë edhe jehonat e majit 1968, sidomos në rininë e tyre, spontanitetin dhe mungesën e udhëheqësve të identifikueshëm. Megjithatë, si me çdo zhvillim historik, ngjarjet e vitit 2019 duhet të kuptohen në kushtet e tyre.

Në vitin 1968, në një kohë të punësimit të plotë, një kombinim i mërzisë dhe utopianizmit revolucionar bëri që demonstruesit e rinj të ngrinin barrikada në Paris. Në vitin 1989, shpresa për të arritur lirinë dhe prosperitetin mobilizoi protestuesit për të ndihmuar në rrëzimin e regjimeve komuniste. Por, në vitin 2019, zemërimi dhe dëshpërimi kanë zëvendësuar ëndrrat dhe shpresën, pavarësisht nga mundësia e arsyeshme e përmirësimit në vende të tilla si Sudani dhe Algjeria.

Nëse revoltat e vitit 2019 kanë një fije të përbashkët ose një shpjegim unifikues, është dëshira për dinjitet dhe respekt. Njerëzit kanë dalë në rrugë sepse mendojnë se janë poshtëruar, injoruar dhe përçmuar për shumë kohë nga elita politike të papërgjegjshme, të korruptuara dhe të largëta.

Nxitjet e menjëhershme për protestat e ndryshme – qoftë kjo një taksë për përdorimin e WhatsApp-it në Liban, apo një rritje e tarifave të metrosë në Santiago – shpesh duken sekondare apo edhe të parëndësishme. Dhe, ashtu si në Kajro në vitin 2011 apo në Bejrut në vitin 2005 pas vrasjes së kryeministrit libanez Rafik Hariri, celularët janë instrumenti kryesor për të mbledhur rebelë të tjerë.

Por, pavarësisht nëse shkaku fillestar i revoltës ishte kryesisht ekonomik (si në Liban ose në Kili) apo politik (si në Hong Kong), autoritetet në secilin rast janë kapur në befasi dhe janë përgjigjur shumë ngadalë. Protestuesit, gjithashtu, duken të mahnitur nga numri i madh dhe forca e tyre. Duke i nisur protestat për të kundërshtuar një taksë të re, ata papritmas e gjejnë veten duke kërkuar fund të regjimit.

Camillo Cavour, arkitekti i bashkimit italian në shekullin XIX, dikur theksoi se “Reformat e bëra me kohë dobësojnë frymën revolucionare”. Reformat që vijnë shumë vonë, nga ana tjetër, janë të suksesshme vetëm për të ushqyer zemërimin popullor.

Si rezultat, liderët politikë që kishin refuzuar prej kohësh çdo lloj kompromisi apo lëshimi, tani të lënë përshtypjen se i ka zënë paniku. Ata në dukje janë të gatshëm të zvogëlojnë privilegjet e tyre qoftë në mënyrë spektakolare, si në Liban, ose më shumë në mënyrë simbolike, si në Kili. Por, për shumë prej demonstruesve, çfarëdo që bëjnë qeveritë tani duket shumë pak dhe tepër vonë.

Duke i komplikuar akoma më shumë gjërat, protestat po zhvillohen në një kohë paqëndrueshmërie të jashtëzakonshme gjeopolitike, të nxitura nga mos angazhimi strategjik i Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump dhe ngritja e vazhdueshme e fuqive autoritare. Prishja e rendit në rrugë po përforcon një ndjenjë trazirash globale dhe anasjelltas.

Si fillim, Shtetet e Bashkuara nuk duken më të gatshme apo të afta të luajnë një rol të rëndësishëm në Amerikën Latine. Mos angazhimi i Shteteve të Bashkuara në rajon e ka ndihmuar presidentin Venezuelës, Nicolás Maduro, të mbetet në pushtet, pavarësisht protestave masive popullore kundër sundimit të tij. Po ashtu, edhe pse kilianët mund të kenë me të drejtë frikë nga një rikthim i një lloj dhune civile që vendi s’e ka përjetuar tashmë prej dekadash, ata, si amerikano-latinët e tjerë, duhet të përballen krejt të vetëm me fatin e tyre.

Shtetet e Bashkuara janë akoma një lojtar i rëndësishëm në Lindjen e Mesme, siç tregoi vrasja së fundmi e liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi, por edhe tërheqja e saj nga ai rajon po ashtu. Rusia po e zëvendëson dalëngadalë Amerikën, të paktën në Siri, dhe ndoshta në një pikë do t’i hapë rrugë edhe Kinës. Edhe atje, ata që kërkojnë reforma politike dhe ekonomike, do ta gjejnë veten krejtësisht të vetëm. Është e vështirë të shohësh se si kërkesat popullore për liri dhe barazi në rajon mund të pajtohen me rritjen e fuqive autoritare, si Rusia dhe Kina, pa përmendur pastaj lojtarët rajonalë si Irani dhe Turqia. Të gjithë i druhen protestave pro-demokracisë, si të ishin vetë murtaja.

Në këtë sfond, prania e presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi në samitin e parë Rusi-Afrikë në Soçi, së fundmi, ishte tepër e rëndësishme. Kjo sugjeron se Egjipti, i cili u bë aleat i SHBA-së në vitet 1970, po mbron veten duke ringjallur aleancën e tij tradicionale me Rusinë (dhe më parë Bashkimin Sovjetik).

Në Liban protestuesit janë bashkuar nën banderolën “Ne jemi një popull”, duke sfiduar kështu aktet e balancimit sektar që kanë formësuar gjatë politikën e vendit. Por, mbetet për t’u parë nëse kjo revoltë popullore do të riorganizojë kartat gjeopolitike si protestat në Gjermaninë Lindore në vitin 1989 apo si ato në Siri në vitin 2011.

Protestuesit në mbarë botën po ngrihen kundër sistemeve që shpesh janë kalbur në thelb dhe nuk mund të reformohen. Por, krijimi i një rendi të ri, më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, do të jetë një detyrë jashtëzakonisht e vështirë.

Për këtë arsye, viti 2019 mund të përfundojë duke i ngjarë “pranverës së papërfunduar” të viteve 2010-2012. Por, duke pasur parasysh frymën unike të protestave aktuale dhe gjendjen aktuale të fluksit gjeopolitik, pothuajse çdo parashikim është thjesht spekulim. E ardhmja, siç është gjithmonë në momente të tilla historike, është e hapur. /Burimi: Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/