Shpërthejnë akuzat nga kampi i Real Madridit: A e kaloi topi vijën anësore në aksionin ku u shënua goli i Cityt?

Manchester City nxori një barazim 1-1 në udhëtim te Real Madridi në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.
Mirëpo, pas ndeshjes ka shumë ankesa ndaj VAR-it se nuk e rishikoi një moment që duket se ka vendosur ndeshjen.
Manchester City i barazoi shifrat në 1-1 me anë të Kevin de Bruynes, por në ndërtimin e aksionit ka dyshime se loja duhej të ndalej për një top që kishte kaluar vijën anësore të fushës.
Sipas pamjeve digjitale, kur Bernardo Silva po tentonte të zinte topin, për të mos e lënë jashtë, ai tashmë veç se kishte dalë – gjithmonë sipas pamjeve.
Mirëpo, portugezi vazhdoi të luante me topin, pa u penguar nga gjyqtari dhe ata që ishin në dhomën e VAR-it, me çka edhe pasoi goli i Cityt.
Edhe Carlo Ancelotti është ankuar gjatë ndeshjes për atë moment, duke u ndëshkuar me karton të verdhë për protesta.
Në komentet mund ta vlerësoni edhe ju se nëse topi ishte jashtë apo në lojë. /Telegrafi/























































