Shpërndante kokainë dhe organizonte lojëra fati në lokal, arrestohet pronari në Bulgarec - në hetim një polic dhe dhjetëra persona tjerë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacioni policor të koduar “Organizatori”, ndërkaq është vënë në pranga pronari i një lokali që organizonte lojëra fati dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë, në lokal.
Policia njofton se janë proceduar penalisht 14 shtetas për moskallëzim krimi, 3 të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Po ashtu penalisht është proceduar edhe një punonjës policie dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor.
“Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave ‘Për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lotarive sportive online’, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale ‘Shqiponjat’, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Korçë–Elbasan, finalizuan operacionin e koduar ‘Organizatori’.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara’ dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, ku u konstatua se 57-vjeçari kishte përshtatur ambientin për kryerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge.
Ndërkohë, në banak u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë në këtë ambient, disa shtetas tentuan të fshihnin provat dhe, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasit: R. K., banues në Korçë; F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë; H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për 14 shtetas të tjerë, të cilët, edhe pse kishin dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, nuk e kallëzuan tek organet policore.
Për shkak se ishte prezent në këtë ambient dhe nuk ka kryer detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i detyrës, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin D. L., me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë.
Njëkohësisht, ndaj tij filloi edhe hetimi disiplinor.

Në përfundim të operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, një sasi monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që shërbejnë për ushtrimin e lojërave të fatit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/





















































