Një grup i organizatave të shoqërisë civile ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Ministrisë së Financave për themelimin e një grupi punues për hartimin e Projektligjit të ri të Prokurimit Publik, duke e cilësuar procesin si të diskutueshëm dhe të nxituar.

Në reagimin e tyre, organizatat theksojnë se hartimi i ligjeve të rëndësishme, si ai i prokurimit publik, kërkon stabilitet institucional dhe proces gjithëpërfshirës, ndërsa tani po bëhet në një situatë të paqartë qeveritare.


“Nisja me nguti e proceseve për hartimin e ligjeve me rëndësi të lartë, si Ligji për Prokurimin Publik, është politikisht e papërshtatshme dhe institucionalisht e paarsyeshme në rrethana të mungesës së mandatit të plotë qeveritar. Hartimi i një ligji të tillë nuk është proces teknik, por proces normativ me pasoja afatgjata për sistemin e prokurimit publik dhe menaxhimin e fondeve publike”, thuhet në reagim.

Organizatat kritikojnë gjithashtu përbërjen e grupit punues, që sipas tyre nuk përfshin shoqërinë civile dhe ekspertët e pavarur, duke shkelur Rregulloren e Punës së Qeverisë.

“Mosrespektimi i dispozitave që rregullojnë këtë çështje që në fazën fillestare të procesit cenon parimin e gjithëpërfshirjes, transparencës dhe konsultimit real, duke e reduktuar procesin ligjvënës në një ushtrim të mbyllur administrativ”, theksohet më tej.

Shoqëria civile nënvizon se prokurimi publik është një sektor veçanërisht i ndjeshëm ndaj korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike, prandaj përjashtimi i palëve relevante nga procesi rrezikon kontrollin publik dhe besueshmërinë e ligjit.

“Çdo proces për hartimin ose ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik duhet të zhvillohet përmes një qasjeje të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile dhe palëve relevante, dhe në rrethana të stabilitetit institucional që garantojnë legjitimitet dhe besim publik”, përfundon reagimi.

Nënshkruesit e këtij reagimi janë Demokraci Plus, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Iniciativa për Progres, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol./Telegrafi/