Shoqata shqiptare në Amerikë "Vatra” mbështet dialogun, kundërshton korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi

Kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, Dritan Mishto, vlerësoi se Kosova është një shtet i ri dhe sfidat janë të jashtëzakonshme, edhe pse mbi të gjitha anëtarësimi i Kosovës, në OKB, BE dhe NATO janë kryesfidat e shtetit më të ri në Evropë.
Kurse sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, sidomos procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe diskutimin për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve, kryetari Mishto, në një intervistë për Telegrafin, tha se Federata Panshqiptare “Vatra”, ashtu si të gjithë aleatët perëndimorë, mbështet dialogun Kosovë – Serbi, dhe shpreson që fundi i tij të kurorëzohet me njohjen reciproke dhe zgjidhjen sa më shteruese të temave të bisedimeve, duke hapur një epokë të re, jo vetëm për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Sa i përket diskutimit të kufijve, anëtarësia jonë ka paraqitur kundërshtinë e saj. Federata “Vatra” shpreh publikisht besimin e lartë tek Shtetet e Bashkuara, dhe se është e bindur që Institucionet Amerikane, do të jenë, edhe si në të shkuarën, miq dhe mbështetës të shqiptarëve.”, tha mes tjerash në intervistë kryetari Mishto.
Ndërkaq, duke folur për institucionin që drejton ai, tha se “Vatra”, është vlerë dhe pasuri mbarëkombëtare, dhe se që prej themelimit të saj, “Vatra”, ka luajtur një rol qendror në të gjitha çështjet që kanë përbërë shqetësim për shqiptarët.
Duke përmendur dy themeluesit e saj Fan Noli dhe Faik Konica, ai theksoi se “këta janë kolosë të kombit tonë, që spikatën me pjesëmarrjen e tyre në pothuaj çdo lëmi të jetës shoqërore dhe qëndrojnë në piedestal të historisë sonë”.
Telegrafi: Z. Mishto, Federata PanShqiptare e Amerikës “Vatra”, është një organizim i shqiptarëve në Amerikë, krijuar në vitin 1912, e cila ka si mision promovimin e shqiptarëve në SHBA. Me ardhjen tuaj në krye të “Vatrës”, çfarë i premtoni komunitetit shqiptar? Dritan Mishto: Së pari dua t’ju falënderoj shumë për intervistën dhe vizitën tuaj në Vatër, duke treguar kësisoj respektin që Ju si gazetare dhe Telegrafi keni për institucionin më të fortë moral të shqiptarëve në botë. Federata PanShqiptare e Amerikës “Vatra”, është vlerë dhe pasuri mbarëkombëtare. Që prej themelimit të saj, Federata jonë ka luajtur një rol qendror në të gjitha çështjet që kanë përbërë shqetësim për shqiptarët. Nuk ka periudhë të historisë së kombit tonë, që të mos gjendet prania dhe kontributi i Federatës Vatra. Ashtu siç nuk ka fushë të jetës sonë shoqërore, kulturore, artistike, politike, diplomatike, shkencore, letrare, etj, që nuk gjen pjesëmarrjen dhe kontributin thelbësor të Vatrës. “Vatra”, është kthyer kësisoj në një akademi të mendimit modern shqiptar. Dy themeluesit Fan Noli dhe Faik Konica, këta kolosë të kombit tonë spikatën me pjesëmarrjen e tyre në pothuaj çdo lëmi të jetës shoqërore dhe qëndrojnë në piedestal të historisë sonë. Ashtu, siç mund të gjenden edhe figura të tjera me një profil të lartë në shkencën dhe artin botëror, siç ishte Gjon Mili, ish financier i Vatrës dhe i njohur botërisht për aplikimin e metodës stroboskopike të fotografimit, fotograf i revistës prestigjioze “Time” dhe i një sërë artistësh të njohur hollivudianë. Apo, Nelo Drizari, ish redaktor i gazetës sonë “Dielli”, diplomuar për gazetari në Universitetin e Kolumbisë, një gazetar kalibri dhe themelues i seksionit shqip në “Zërin e Amerikës”. Ka edhe një plejadë të tërë intelektualësh, anëtarë dhe drejtues të “Vatrës”, të cilët janë njohur në fushën e jurisprudencës, katedrave universitare, biznesit, etj. Mënyra e themelimit të Federatës “Vatra” dhe roli i vazhdueshëm i Nolit e Konicës përgjatë disa dekadash, kanë bërë që ekzistenca e saj të jetë një mister, një magji, e cila vazhdon e do të vazhdojë sa të jetë kombi shqiptar. Janë jo vetëm parimet e platformat e saj, por edhe furnizimi i vazhdueshëm me energji pozitive, arsyet që sigurojnë vazhdimësinë e jetëgjatësinë e saj. Ka pasur me qindra shoqata e organizata tjera shqiptare, kudo në diasporën tonë, të cilat pavarësisht punës dhe rezultateve janë shuar me kalimin e kohës, por “Vatra” jo vetëm rezistoi, por mbetet shtyllë e shqiptarizmit, gjë e cila na rrit përgjegjësinë për të ndjekur me shumë vëmendje tematikat e kohës në të cilën jetojmë. “Vatra” nuk është organizatë politike dhe nuk merret me politikë. Federata Panshqiptare “Vatra” është MbiPolitike. Andaj, ardhja në krye të ‘Vatrës” të një brezi të ri është një energji e re për të shpënë përpara objektivat tona madhore kombëtare dhe ndjehem mirë që shumë të rinj me reputacion profesional dhe shoqëror janë pjesë e ekipit tonë drejtues. Jemi të ndërgjegjshëm për mençurinë dhe maturinë që kërkohet, por jemi të vendosur të jemi prezent atje ku kërkohet e do të na kërkohet, falë edhe mbështetjes së gjerë të vatranëve më të vjetër, dhe me eksperiencë.
Telegrafi: Jeni zotuar se me ardhjen e juaj në krye të Vatrës , do ta rrisni prestigjin e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, si në kohën kur në krye të saj kanë qenë të mëdhenjtë Noli dhe Konica? Dritan Mishto: “Vatra”, ka emrin dhe autoritetin e saj kudo ndër shqiptarë. Siç e shpreha edhe më lart “Vatra”, është e pranishme në çdo kapitull të historisë moderne shqiptare, duke i paraprirë madje edhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pesha e Vatrës në periudha të vështira për Shqipërinë është ndjerë më shumë, sidomos në kushtet e mungesës së autoritetit të shtetit shqiptar, ku përmendim kontributin e saj deri me emërimin e ambasadorëve për pjesëmarrje dhe përfaqësim në konferencat ndërkombëtare që diskutonin fatet e Shqipërisë. Apo mbështetjen financiare për arkën e boshatisur të shtetit të sapoformuar. Duke ardhur në dekadat e fundit, Vatra bëri ç’është e mundur për demokratizimin e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, ne kemi dy shtete shqiptare dhe prezencë të evidentuar të grupimeve politiko e shoqërore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë në Ballkan. Pra, tabloja e problematikës shqiptare ka aktorë dhe elementë të tjerë, por që sërish nuk mund të shmangin praninë e Vatrës. Shembull; nisur nga rëndësia jetike e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, Federata “Vatra” ka shpalosur strategjinë e saj për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve, e cila konsiston në faktin që pavarësisht qëndrimeve të qeverive shqiptare kundrejt SHBA, Federata “Vatra”, do të jetë gjithnjë burim dhe ushqim për fuqizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe SHBA. Ne kemi konstatuar se pavarësisht pro-amerikanizmit që ka ndër shqiptarë, qeveritë tona, për interesa të tyre të brendshme në raste të veçanta, nuk ngurrojnë të cenojnë sadopak këto marrëdhënieve. Ndaj Federata “Vatra:, do të jetë gardian i paprekshmërisë së tyre, duke mos lejuar dhe duke u distancuar qartësisht nga çdo akt që prek ato. Rasti i fundit është votimi kundër SHBA nga ana e Qeverisë Shqiptare në OKB gjatë shqyrtimit të rezolutës kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit (njohje e deklaruar nga Presidenti Trump), votim i cili përveçse ngjalli kudo zemëratën e shqiptarëve, tregoi se edhe në nivelet më të larta qeverisëse ndodhin luhatje të tilla të rrezikshme. Kjo votë kundër e Qeverisë Rama ndaj SHBA-ce, është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, apo edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë.
Pra, në forma të ndryshme skena diplomatike kërkon sërish prezencën e Federatës “Vatra”, dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim me seriozitet nga afër çdo situatë. Rrjedhimisht serioziteti me të cilin ne ndjekim situatat rrit edhe prestigjin dhe autoritetin e Federatës “Vatra{, kudo në botën shqiptare e më gjerë.
Është për të ardhur keq, që shtete tona nuk kanë hapur akoma të paktën një Institut Kulture në Amerikë, një praktikë e ndjekur nga një sërë shtetesh, për të treguar tërë atë thesar kulturor që ne kemi, e për ta kthyer këtë institut kulture (imagjinar) në një qendër të debatit dhe pjellorisë së alternativave të çështjeve që na shqetësojnë të gjithëve.
Telegrafi: Cili është bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare në Amerikë? Dritan Mishto: Federata Panshqiptare “Vatra”, është një shembull shumë i mirë i respektimit dhe bashkëpunimit me komunitet fetare, të cilat mbeten një pasuri e madhe e jona në Amerikë, por jo vetëm. Në të gjitha aktivitetet dhe festimet tona, klerikët janë gjithmonë ata, që në mënyrë të alternuar kryejnë bekimet e rastit. Ne vazhdojmë ta ushqejmë këtë respekt, dhe do të vazhdojmë më tej, sepse e konsiderojmë një pasuri të madhe që mban gjallë dhe ndihmon qenien tonë të bashkuar. Ky është një shembull me të cilin shqiptarët krenohen përpara kombeve të tjerë.
Telegrafi: Federata Pan Shqiptare “Vatra”, është konsideruar si djep i bashkimit të shqiptarëve, por si keni arritur të distancoheni nga ndasitë politike shqiptare, si në Kosovë, e po ashtu edhe në Shqipëri? Dritan Mishto: Federata “Vatra”, siç e thashë më lart nuk është organizatë politike. “Vatra”, është MbiPolitike. Si një organizim i madh dhe i vjetër ka pjesëmarrje individësh me mendime dhe pikëpamje të ndryshme, por, kryesorja është se secilën nga këto pikëpamje dhe bindje gjithkush i mban brenda vetes. Natyrisht, ne shkëmbejmë mendime dhe konsulta mes nesh, por kur dilet me qëndrime zyrtare, ne jemi bashkë. Për ne si “Vatër”, nuk kanë rëndësi partitë politike, grupet e interesave të ndryshme shoqërore, por vetëm mbarëvajtja e demokracive në vendet tona, sepse sa më të forta dhe më të konsoliduara të jenë demokracitë në vendet tona, aq më prestigj dhe respekt do të kemi në botë.
Më e rëndësishmja mbetet zotësia e klasës politike, për të bindur partnerët perëndimorë në kapacitetin dhe aftësinë e saj të plotë, për t’i dhënë vendit një qeverisje efikase, profesionale dhe të ndershme.
Telegrafi: Si i shihni zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe diskutimin për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve? Dritan Mishto: Parimisht dialogu mes Republikës së Kosovës dhe cilitdo shteti tjetër duhet mbështetur, sepse Kosova është një shtet i pavarur dhe marrëdhëniet bilaterale e dialogu mes shteteve të pavarura janë një normë diplomatike. Federata Panshqiptare “Vatra”, ashtu si të gjithë aleatët perëndimorë, mbështet dialogun Kosovë – Serbi, dhe shpreson që fundi i tij të kurorëzohet me njohjen reciproke dhe zgjidhjen sa më shteruese të temave të bisedimeve, duke hapur një epokë të re, jo vetëm për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Sa i përket diskutimit të kufijve, anëtarësia jonë ka paraqitur kundërshtinë e saj. Federata “Vatra” shpreh publikisht besimin e lartë tek Shtetet e Bashkuara, dhe se është e bindur që Institucionet Amerikane, do të jenë, edhe si në të shkuarën, miq dhe mbështetës të shqiptarëve.
Telegrafi: A mendoni se si shqiptar jemi mjaft të bashkuar, të unifikuar, të formuar dhe të ofruar me njëri-tjetrin, për sensibilizimin e çështjeve kombëtare? Dritan Mishto: Sfidat kombëtare të shqiptarëve janë të përbashkëta, na përkasin të gjithëve, pavarësisht ku jetojmë. Vihet re me lehtësi se reagimi është i përbashkët për çështjet ku kërkohet vëmendja e të gjithëve, dhe besoj se do të mbetët kësisoj. Po sjell rastin më të fundit të kërkesave nga mbarë diaspora që shqiptarët në Malin e Zi, të votojnë të bashkuar në zgjedhjet e datës 3 Mars 2019. Federata “Vatra”, përshëndet këtë vendim të mençur të subjekteve politike shqiptare, duke i uruar përzemërsisht suksese dhe konstatojmë se shtysë e rëndësishme e këtij vendimi, është pikërisht trysnia pozitive e mendimit të unifikuar shqiptar kudo në botë.
Në tërësi, ne jemi të gjithë të të njëjtit mendim për domosdoshmërinë e rritjes së standardeve të demokracive në Shqipëri e Kosovë, apo për garantimin sa më të lartë të të drejtave të bashkëkombësve tanë, dhe këto janë shtyllat që mbajnë fort ndjeshmërinë tonë, larg ndasive dhe preferencave të ndryshme politike e shoqërore.
Telegrafi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për President Dolad Trump. Çfarë mendimi keni për të? Dritan Mishto: Federata Pan Shqiptare “Vatra” gjithmonë ka pasur korrespondencë me Presidentin e ShBA-ve, me Sekretarin e Shtetit (pavarësisht përkatësive të tyre politike), si dhe me përfaqësues të Dhomës e Senatit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Ne mendojmë se Presidenti Trump, po bën një punë shumë të lavdërueshme, për rritjen e mëtejshme të autoritetit të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet disa sfidave që ai ka marrë përsipër. Nga kjo pikëpamje, mbështesim dhe lutemi për sa më shumë sukses gjatë drejtimit të Tij, për rritjen e mirëqenies së kombit amerikan, dhe për sa më shumë dobi për shqiptarët.
Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për komunitetin shqiptar në botë, e në veçanti për shqiptaro-amerikanët? Dritan Mishto: Unë do t’i drejtohem me një thirrje vëllazërore dhe shumë të përzemërt të gjithë shqiptarëve kudo në botë, që Federatën PanShqiptare “Vatra” ta shohin si një strehë të hapur, një bashkëbiseduese të çiltër për çështjet shoqërore e kombëtare, të cilat ata i shqetësojnë çdo ditë dhe kudo që janë. Ta kenë të ditur, se Federata Pan Shqiptare “Vatra”, së bashku me tërë diasporën shqiptare në botë do të vazhdojnë të jenë në krye të punëve të mira për shqiptarët. Intervistoi/Lumturije BEKAJ/Telegrafi/






































