Me qindra familje do të ndihmohen edhe këtë vit, duke filluar nga kjo e premte, si çdo vit tjetër, nga iniciativa tradicionale që vjen nga Shoqata ‘PEJA’ në Nju Jork.

Kryetari i kësaj Shoqate, Rejmond Zeka, konfirmoi në ‘RADIO 1’, se për këtë aksion kësaj radhe janë mbledhur 23 mijë e 300 dollarë.


‘Me kënaqësi ju informojmë dhe për hirë të transparencës në princip, se nga inciativa që patëm, janë mbledhur 23 mijë e 300 dollarë. Shpërndarja fillon nga dita e premte. Po ashtu krahas kësaj, kemi dhe një lajm të mirë të dytë, se nga këto mjete, mbështetje për familjet në nevojë, përveç Pejës me rrethinë do pasojnë edhe në Istog, Deçan dhe Junik. Si çdoherë shpërndarjen e bën Shoqata ‘Bereqeti’ dega në Pejë”, deklaroi Zeka.

Për bashkëatdhetarët pejanë në këtë inciativë solidariteti dhe humanizmi ka kohë që janë bërë kryefjalë dhe traditë e këtij komuniteti, të cilët nëpërmjet Shoqatës ‘PEJA’ në Nju Jork, mbështesin familjet në nevojë, në pothuajse çdo festë kombëtare, fetare e globale.

Nisma për mjetet financiare në Nju Jork ishte e hapur nga data 10 mars deri më 25 mars.

Ndryshe, Shoqata ‘Peja’ në Nju Jork ka qenë mbështetëse e fillimit të projektit ‘RADIO 1’ dhe Portali ‘Njeshi’ që në hapat e parë në vitin 2019.