LAJMI I FUNDIT:

“Shkrimtari” i izolimit

“Shkrimtari” i izolimit
Hysen Beqa

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri me titullin “Shkrimtari” i autorit Hysen Beqa. Sipas botuesit të këtij libri, Berat Armagedoni, ka qenë pandemia, pastaj karantina, ato të cilat ia kanë zgjeruar horizontet autorit dhe motivuar për ta shkruar këtë libër.

“Pandemia, pastaj karantina, ia kanë shkurtuar hapat dhe veprimin fizik brenda dhe jashtë Prishtinës, brenda dhe jashtë Kosovës, brenda dhe jashtë lagjes, brenda dhe jashtë banesës dhe ballkonit të saj, por ia kanë zgjeruar horizontet e të menduarit. Po ashtu, lirinë e shprehjes dhe të pasurisë gjuhësore.

Libri i dytë i Hysen Beqës, “Shkrimtari”, është rezultat i izolimit të detyrueshëm. S’është ditar. S’është as roman. Është një libër me evokime, me vështrime, me reagime ndaj dukurive sociale dhe të metave të shoqërisë shqiptare.


Autori ka pasur kohë të pushojë, të vëzhgojë, të mendojë, të kritikojë dhe të japë sugjerime. ‘Shkrimtari’ është ai që flet për jetën e vet dhe të rrethit të vet të ngushtë, kryesisht të familjes, shokëve, kolegëve. Është shkrimtari ai që mbledh, që arkivon, që përzgjedh dhe që shpërndan tema dhe lajme nga Kosova.

“Korona” është kudo në roman. Janë, paralelisht me të, edhe dëmet që ajo ua ka shkaktuar njerëzve, familjeve, shtetit, institucioneve të tij, afaristëve e kujt jo tjetër.

Diku gjejmë edhe shpresë reale, jo vetëm letrare.

“’Shkrimtari’ ka nis rrugëtimin fizik nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Nëse ka interesim për të si për romanin ‘Misiri i vogël’, brenda vitit do të përkthehet në katër-pesë gjuhë”, ka bërë me dije botuesi.

Parathënie për librin ka shkruar redaktori Albin Mehmeti. Ai ka çmuar guximin e autorit për të trajtuar në këtë roman shumë tema dhe për t’i sjellë para nesh shumë dukuri të mbrapshta të cilat i bëjnë dhe kryejnë politologët, politikanët, analistët, gazetarët e kush jo tjetër. Më poshtë, parathënia e librit.

Ky libër, në rrafshin tematik, është vazhdim i romanit “Misiri i vogël”, i po të njëjtit autor, botuar tri vjet më parë, në të cilin autori përsiat për veten, për shoqërinë, për botën që e rrethon.

Këtë libër herë e lexojmë si fiksion, herë tjetër si jetëshkrim. Brenda tekstit gjejmë shenja të autorit, por edhe të narratorit. Ato që i rrëfen narratori janë ide të autorit, janë pikëpamje të tij për individët dhe shoqërinë. Heroi i romanit gjendet para shumë dilemave të mëdha të cilat ia krijon shoqëria.

Në këtë libër autori trajton fatin e shkrimtarit dhe ballafaqimin e tij me shoqërinë. Përmes ndodhive personale, del sheshit fati i shkrimtarëve në shoqërinë e Kosovës. Nëse dikur shkrimtari ishte prijës popullor, sot ai është shtresë e harruar nga shoqëria madje, nëpërmjet gojës së narratorit homodiegjetik, shkrimtarët konsiderohen të çmendur dhe janë ose bëhen objekt talljeje. Por, nëpërmjet stoicizmit të narratorit Beqa mëton të tregojë se shkrimtaria nuk është thjesht një profesion a pasion, por mision.

Aq fuqishëm sa godet fenomene dhe dukuri në romanin e parë, aq shumë godet edhe në këtë libër dukuri dhe vese të tjera shoqërore. Ai nuk i ul heshtat as ndaj atyre me të cilët ka kaluar një pjesë të madhe të jetës.

Në këtë libër do të lexoni për politikën dhe për politikanët. Nuk do ta hasni autorin duke bërë politikë. Edhe pse nuk përmend emra të politikanëve dhe të politikave të këqija, është mjaft konkret, sepse përmend specifika të tyre. Këto raste të trajtuara për lexuesin semantik janë thjesht ide personale, kurse për lexuesin semiotik më tepër se kaq.

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kalo në kategori