Shkodran Mustafi i bashkohet stafit teknik të Gjermanisë U21

Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Gjermanisë, Shkodran Mustafi, ka marrë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij pas futbollit. Fituesi i Kupës së Botës 2014 do të jetë ndihmëstrajner i Antonio Di Salvos te përfaqësuesja U21 e Gjermanisë, duke nisur punën më 1 shtator.
Ky emërim vjen pas largimit të Herrman Gerland nga posti i ndihmësit, ndërsa legjenda shqiptare është zgjedhur për shkak të përvojës së tij si asistent i Marc-Patrick Meister te Gjermania U17. Në këtë rol të ri, ai do të punojë ngushtë me talentet e reja, duke i ndihmuar të zhvillohen dhe të përgatiten për nivelin senior.
“Andreas Rettig, drejtori menaxhues i Federatës Gjermane të Futbollit, deklaroi: Shkodrani ka treguar me ekipin U17 se ka aftësi të mëdha për të zhvilluar lojtarët e rinj. Ai e njeh mirë realitetin e futbollit të përditshëm dhe, falë eksperiencës së tij ndërkombëtare, mund të sjellë shumë vlera në skuadër”.
Gjatë karrierës si lojtar, 33-vjeçari grumbulloi 20 paraqitje me Gjermaninë, duke fituar edhe Kupën e Konfederatave 2017. Në nivel klubesh, ai u bë i njohur me Arsenalin, ku shënoi 9 gola në 135 ndeshje, ndërsa ka luajtur edhe për Hamburgun, Evertonin, Valencian, Schalke dhe Levanten – ky i fundit ishte klubi i tij i fundit para pensionimit në qershor 2024.
Mustafi u shpreh entuziast për sfidën e re: “Kam ndjekur nga afër paraqitjet e U21 në Kampionatin Evropian këtë verë dhe ndjeva euforinë që ata krijuan. Dua të ndaj përvojën dhe njohuritë e mia me këta lojtarë, brenda dhe jashtë fushe, si dhe të ndihmoj stafin e Toni Di Salvos. Ky rol është një hap i rëndësishëm për mua si trajner”.
Debutimi i tij në stolin e U21 do të jetë më 9 shtator, në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Letonisë në Rostock. /Telegrafi/



















































