Shenjëzimet në veri që simbolizojnë Trepçën përlyhen ende pa përfunduar

Tashmë kanë filluar shenjëzimet vertikale dhe horizontale në të gjitha rrugët në veri të Mitrovicës.
Por, disa prej tyre janë përlyer ende pa përfunduar punimet, shkruan Telegrafi.
Shefi i operativës rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, për Telegrafin ka thënë se ende nuk dihet se kush i ka përlyer dhe se rasti është nën hetime.
"Rasti është nën hetime, nuk mund të them asgjë", ka thënë Fejza.
Këto shenjëzime janë duke u vendosur me ngjyrë të gjelbër dhe të bardhë ngase në këtë formë simbolizohet "Trepça", kështu ka deklaruar shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Visar Syla.
"Frymëzimi ka ardhur sepse ngjyra e gjelbër dhe e bardhë janë ngjyrat e 'Trepçës', Mitrovicës dhe minatorit", ka thënë Syla për Telegrafin.
Ndërsa për përlyerjen e shenjëzimeve, ai u shpreh se institucionet janë duke e bërë hetimin e rastit.
"Në momentin që dihet se kush e ka bërë institucionet i marrin veprimet e tyre", ka shtuar Syla.
Vlen të theksohet se pranë ekipit punues ishin të pranishëm edhe disa zyrtarë policor.
Komuna e Mitrovicës Veriore dje ka njoftuar për nisjen e shenjëzimeve vertikale dhe horizontale në rrugët e qytetit.
Sipas njoftimit, ky hap synon rritjen e efikasitetit në komunikacion dhe krijimin e një mjedisi më të rregullt për këmbësorët dhe drejtuesit e makinave. /Telegrafi/
Shenjëzimet në veri të përlyera, më 07.03.2025. Foto: Blinera Mehmeti/Telegrafi











































