Shehu: Realizuam mbi 90 për qind të premtimeve gjatë mandatit, investime mbi 11 milionë euro në Junik

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu ka thënë se gjatë mandatit të parë kanë realizuar mbi 90 për qind të premtimeve.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook Shehu ka thënë se fjalët e tyre janë garancion për Junikun.
“Këtë nuk e themi ne, por qytetarët e Junikut, veprat që shihen dhe preken si dhe të gjitha organizatat që e kanë bërë matjen e realizimit të premtimeve tona”, ka shkruar ai.
Tutje Shehu tha se gjithsej janë bërë mbi 11 milionë euro investime në projekte kapitale dhe rreth 400 mijë euro subvencione për katër vite të qeverisjes.
“Në një komunë të vogël si Juniku, ky është rekordi i punëve të realizuara për një mandat që nga themelimi i Junikut si komunë. Rezultati: 49 projekte konkrete të realizuara (prej tyre 35 premtime elektorale) që nuk kanë ekzistuar para 4 viteve por që sot i gëzojnë junikasit”, ka thënë Shehu.
Ndërsa, siç ka thënë kryetari i Junikut, për mandatin e dytë, po prezanton programin qeverisës 2025-2029 me 31 premtime dhe projekte të cilat kapin shumën e investimit mbi 13 milion euro, 400,000.00 euro subvencione si dhe parku solar me një investim afër 42 milion euro që do të vendos Junikun në qendër të hartës energjetike të Kosovës.
“LDK në Junik është oferta e vetme politike me program serioz dhe projekte konkrete të cilat i prezantojmë dhe i premtojmë para votuesve në Junik. Kundërshtarët politik nuk kanë fare program politik, prandaj shërbehen me shpifje, me fyerje dhe me akuza personale. Mirëpo junikasit kanë kulturë dhe kanë kriter. Ata e vlerësojnë punën dhe jo shpifjet. Juniku nuk i pranon ata që mashtruan për 12 vite. Nuk i pranojnë as ata që pozitën e Kryetarit të Komunës e shohin si punë praktike për të krijuar përvojën e parë të punës në institucione”, ka shkruar ndër të tjera Shehu.
Këtu gjeni linkun e faqes zyrtare të Programit Qeverisës 2026-2029. /Telegrafi/


















































