Serbia po e akuzon për vrasje të rëndë në Banjskë, Koci: Në atë kohë Arbnor Spahiu nuk ka punuar në polici

Pas dy ditësh në dorëzimin e autoriteteve serbe, Gjykata Themelore në Serbii ka caktuar Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës, masën e paraburgimit për një muaj.
Sipas Gjykatës së Lartë në Suboticë, Spahiu dyshohet për kryerjen e veprës penale "vrasje e rëndë" në veri të Kosovës, në lidhje me ngjarjet e Banjskës.
Arianit Koci, avokati i Spahiut, për Telegrafin ka thënë se në kohën e sulmit në Banjskë, i pandehuri nuk kishte asnjë lidhje me Policinë e Kosovës.
"Po e akuzojnë për vrasje të rëndë sipas nenit 114, paragrafi 1, pika 11 të Kodit Penal të Serbisë, në lidhje me rastin e Banjskës. Kallëzimi penal është bërë nga BIA serbe. Por e vërteta është krejt tjetër, Arbnori nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës në atë kohë. Ai ka dhënë dorëheqje rreth një vit më parë dhe jetonte në Gjermani. Për këtë, ne kemi dorëzuar prova," tha Koci.
Ai e quajti procedurën "ndjekje politike", duke shtuar se ajo është pjesë e një "strategjie të koordinuar nga Serbia për të frikësuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës".
Lidhur me këtë rast Koci tha se Kosova nuk duhet të heshtë, duke shtuar se kryeministri dhe presidentja duhet të reagojnë zyrtarisht.
"Unë jam këtu në Serbi për ta ndjekur personalisht këtë proces. Ankesa do të paraqitet brenda afatit ligjor prej 3 ditësh. Ministria e Jashtme, ministrja Donika Gërvalla dhe ambasadori Jetish Maloku po na japin përkrahjen e nevojshme logjistike, dhe e vlerësoj këtë. Por nevojitet shumë më tepër – kryeministri dhe presidentja duhet të reagojnë zyrtarisht. Shteti i Kosovës nuk mund të heshtë kur qytetarët e tij përndiqen padrejtësisht jashtë territorit. Nëse Kosova nuk i mbron njerëzit e saj, kush do ta bëjë?"
Spahiu u ndal të dielën në pikën kufitare të Horgoshit dhe u transferua në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Rasti i tij pritet të shkaktojë reagime të mëtejshme diplomatike.
Autoritetet serbe kanë ndaluar disa herë shtetas të Kosovës nën dyshime për krime lufte.
Zyrtarët në Prishtinë i kanë cilësuar këto arrestime si arbitrare dhe politikisht të motivuara.
Kosova dhe Serbia, që nga viti 2013, kanë një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por bashkëpunimi në fushën e krimeve të luftës ka qenë pothuajse inekzistent./Telegrafi/



















































