Diagnostikimi i hershëm është një nga faktorët më të rëndësishëm në trajtimin me sukses të sëmundjeve, veçanërisht atyre hematologjike, ku qasja në kohë mund të bëjë ndryshimin ndërmjet një trajtimi të thjeshtë dhe komplikimeve afatgjata.

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e përkrahur nga United Hospital, pediatrja hematologe Flora Selimi theksoi rëndësinë e madhe të diagnostikimit të hershëm në fushën e hematologjisë pediatrike.


Ajo theksoi se sa më herët të zbulohet një problem, aq më e lehtë dhe efektive është rruga drejt shërimit.

“Për shembull, në rastin e një anemie, nëse ajo zbulohet herët, sidomos në moshën nën 1 vjeç, mund të identifikohen në kohë anemitë e lindura si sferocitoza, talasemia, hemoglobinopatitë apo edhe defekte të rralla të enzimeve”, tha Selimi.

Ajo shtoi se përsëritja e shpeshtë e anemisë në moshat e hershme duhet të ngrejë dyshime dhe të nxisë analizat e thelluara të gjakut, për të identifikuar nëse kemi të bëjmë me sëmundje gjenetike ose të trashëguara.

Përmes testeve funksionale të eritrociteve dhe analizave specifike, mjekët mund të përcaktojnë me saktësi llojin e çrregullimit dhe të fillojnë trajtimin në një fazë kur organizmi i fëmijës është më i përgjegjshëm ndaj ndërhyrjes.

“Dhe në qoftë se veç i zbulojmë fazat e ardhshme, trajtimi kishte me qenë shumë më i suksesshëm dhe masat do t'i ndërmarrim më herët për mos shfaqjen e komplikimeve të mundshme”, ka thënë Selimi.

Të gjitha këto mund t’i ndiqni në podcastin “Shëndeti në rend të parë”.

Ky podcast mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/