Sekreti i Grupit BALFIN për gjetjen, zhvillimin dhe mbajtjen e talenteve!

Elvin Nosi: “Kemi një fond pagash prej rreth 70 milionë euro, vetëm këtë vit kemi krijuar 600 vende të reja pune dhe kemi rritur fondin e trajnimeve me 26%”.Pavarësisht zhvillimit të shpejtë dhe të zhurmshëm të inteligjencës artificiale, duket se kapitali njerëzor përbën shtyllën kryesore të kompanive. Për këtë arsye gjithnjë e më shumë po kthehet vëmendja te gjetja, rritja dhe zhvillimi i profesionistëve të të gjitha kategorive.Si po e përballojnë kompanitë ndërkombëtare dhe kompanitë shqiptare këtë situatë që nuk është e re, por lehtësitë e lëvizjes në një botë globale e kthejnë në një sfidë? Për të kuptuar më mirë çfarë ndodh brenda kompanive i jemi drejtuar Grupit BALFIN si një grup ndërkombëtar, me zyra qendrore në Shqipëri, i pranishëm në dy kontinente, por i pranishëm edhe në rajonin e Ballkanit. Drejtori i Burimeve Njerëzore i Grupit BALFIN, Elvin Nosi, duke iu përgjigjur pyetjeve tona na ka treguar sesi e përballojnë sfidën me burimet njerëzore dhe sesi kanë gjetur mekanizmat e duhur për të përthithur profesionistët më të mirë dhe për të zhvilluar talentet nëpërmjet programeve specifike trajnimi. Ai na tregoi sesi me një grup që ka mbi 5’000 të punësuar të drejtpërdrejtë dhe mbi 10’000 të tjerë të punësuar nga partnerët e kompanive të grupit, krijon çdo vit vende të reja pune. Vetëm gjatë vitit 2024 janë parashikuar rreth 600 vende të reja dhe duke e rritur fondin vjetor të pagave deri në rreth 70 milionë euro. Z. Nosi nuk harron të përmendë edhe programet e rritjes profesionale të Grupit BALFIN si Talent Pool , Balfin Training Academy apo si janë politikat për të pasur një raport të ekuilibruar midis punës dhe jetës personale.
Është bërë e vështirë të gjesh njerëz të kualifikuar? Çfarë strategjish përdor Grupi BALFIN për të tërhequr dhe mbajtur talentet veçanërisht në industri apo tregje konkurruese? Një ndër prioritetet e strategjisë sonë të Burimeve Njerëzore është të rekrutojmë talentet më të mira dhe sa më shpejt. Vënia në jetë e kësaj strategjie fillon me një njohje sa më të mirë të potencialit të talenteve në tregjet ku operojmë. Për këtë qëllim, në mënyrë proaktive, ekipet e Burimeve Njerëzore të kompanive tona çdo vit kryejnë një proces hartëzimi të talenteve të tregut. Në këtë mënyrë, në rast nevoje rekrutimi, dimë ku të orientohemi në treg dhe procesi i rekrutimit bëhet më efektiv, duke i plotësuar kështu më shpejt nevojat e biznesit. Natyrisht, vitet e fundit, për disa profile të caktuara pune (sidomos IT, dhe digjital), duket se është bërë më sfidues procesi i rekrutimit. Megjithatë, një pjesë të mirë të kompanive tona, të cilat udhëheqin tregjet në sektorët ku operojnë, gëzojnë një reputacion si “punëdhënësi më i mirë”, imazh të cilin kujdesen ta ruajnë duke u investuar në mënyrë të vazhdueshme në përmirësimin e vlerës së shtuar që u ofrojmë punonjësve tanë. Disa nga elementet kryesore që ne u propozojmë punonjësve tanë si vlerë janë: vëmendja e vazhdueshme tek kompensimet dhe përfitimet e punonjësve nëpërmjet pasurimit të tyre dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të qenë konkurrues në treg. Tjetër element është investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e tyre duke caktuar fondet e nevojshme që mundësojnë ofrimin e aktiviteteve zhvillimore të larmishme. Mirënjohja e vazhdueshme e arritjeve të punonjësve tanë është një tjetër element i rëndësishëm që zbatojmë dhe që ndikon ndjeshëm në motivimin dhe mbajtjen e tyre në kompani.Para pak kohësh u përmend që Grupi BALFIN kishte parashikuar një rritje të fondit të pagave me 13 milionë euro. Nëse është e vërtetë, mendoni se vetëm rritja e pagave mjafton për të mbajtur të motivuar punonjësit?Mund të konfirmoj që fondi vjetor i pagave për vitin 2024 është rritur me 13 milionë euro duke shkuar në mbi 67 milionë euro si total për të gjitha shtetet ku operojmë. Rreth 9 milionë euro rritje vjen si pasojë e vendeve të reja të punës që krijohen dhe 4 milionë euro parashikohen për rritjen e pagave të punonjësve ekzistues. Rritja e pagave për ne mbetet një praktikë konstante në kuadrin e paketës së kompensimeve dhe përfitimeve në tërësi që iu ofrohet punonjësve tanë. Padyshim, paga dhe rritja e saj me kalimin e kohës luan një rol të rëndësishëm në motivimin e punonjësve, megjithatë si një element i vetëm nuk siguron mbajtjen e punonjësit. Janë shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm që ndikojnë në motivimin e punonjësit, përtej pasjes së një page të drejtë dhe konkurruese në treg apo pranisë së incentivave të ndryshme monetare ose jo monetare. Ndër këta faktorë të rëndësishëm do të veçonim kryesisht, stilin e vendimmarrjes, qartësinë në objektivat e punës, kulturën e brendshme të kompanisë, mundësinë e zhvillimit profesional dhe mirënjohjen për punën e kryer.



















































