Seferi: Modeli gjerman i arsimit po jep rezultate në Skenderaj – 99% e nxënësve të punësuar pas diplomimit

Në Skenderaj, sistemi dual i arsimit i frymëzuar nga modeli gjerman po sjell rezultate konkrete për të rinjtë.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Ilir Seferi, kandidat i LVV për Asamble në Komunën e Skenderajt, ndryshimi është i dukshëm.
Vetëm tre vite pas nisjes së programit, 99% e nxënësve që kanë përfunduar shkollimin profesional tashmë kanë kontrata pune në kompani lokale, duke e kthyer këtë komunë në një shembull suksesi për gjithë vendin.
Në vitin 2022, në Skenderaj nisi implementimi i sistemit dual të arsimit, i cili kombinon mësimin teorik në shkolla me praktikën e paguar në kompani.
Falë këtij modeli, të rinjtë kanë mundësi të mësojnë një profesion dhe njëkohësisht të përfitojnë të ardhura nga puna e tyre që në moshën 16-vjeçare.
Para nisjes së sistemit dual, 80% e të rinjve në Skenderaj shprehnin dëshirën për të emigruar jashtë vendit.
Por sot, në vitin 2025, kjo situatë ka ndryshuar rrënjësisht.
Pas përfundimit të shkollimit profesional dhe marrjes së diplomave, 99% e nxënësve kanë siguruar punësim në kompani vendore dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë e të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të komunës së tyre.
Ky rezultat është arritur falë transformimit të shkollave teknike në shkolla profesionale, bashkëpunimit me bizneset lokale dhe një qasjeje të qartë vizionare që lidh arsimin me tregun e punës.
Sistemi dual po ndihmon që të rinjtë të përgatiten më mirë për profesionet e kërkuara, ndërsa kompanitë po fitojnë punëtorë të aftë dhe të trajnuar.
Shembulli i Skenderajt tregon qartë se kur arsimi lidhet ngushtë me nevojat reale të tregut të punës, rezultatet janë të prekshme dhe afatgjata.
Ky model duhet të merret seriozisht nga të gjitha komunat e Kosovës, si një mënyrë konkrete për të rritur punësimin e të rinjve, për të frenuar emigrimin dhe për të ndërtuar një ekonomi më të qëndrueshme në vend.
Si kryetar i Besa Foundation (Business Economy Society of Albanians), Ilir Seferi është angazhuar në transferimin e sistemit dual gjerman të arsimit profesional në Kosovë.
Iliri është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Skenderajt (numri 25 në listë).

















































