SEAT prezanton veturat e freskuara Ibiza dhe Arona

Kompania spanjolle, SEAT ka prezantuar versionin e përditësuar të ‘hatchback’ Ibiza dhe të variantit të saj crossover, Arona.
Ndryshimet më të dukshme tek Ibiza janë bërë në pjesën e jashtme dhe në pajisje. Një grilë e re gjashtëkëndëshe, fenerë të përditësuar full LED dhe një parakolp i ridizajnuar e transformojnë pamjen e makinës.
Parakolpi i pasmë i ri, difuzori në kontrast dhe mbishkrimet e errëta theksojnë gjerësinë e saj. Paleta e ngjyrave të karrocerisë është zgjeruar me tre opsione të reja: Liminal, Oniric dhe Hypnotic. Gjithashtu, janë prezantuar disqe rrotash me dizajn të ri, në madhësi nga 15 deri në 18 inç.
Brendësia karakterizohet nga materiale të reja dhe një dizajn i përmirësuar, ndërsa çatia panoramike ofrohet si opsion. Timon multifunksional është i mbështjellë me lëkurë të shpuar, ndërsa paketa FR përfshin ulëse sportive në formë guaske me mbështetje anësore të përmirësuar. Kornizat e daljeve të ajrit janë në ngjyra kontrasti.
- YouTube www.youtube.com
Sistemi standard i informacionit dhe argëtimit përfshin një ekran 8,25 inç, ndërsa versioni 9,2 inç ofrohet si opsion.
Android Auto dhe Apple CarPlay mbështesin lidhje pa tela. Kontrolli me zë, që aktivizohet me frazën "Hola, Hola", përgjigjet ndaj komandave të thjeshta. Mbështetet edhe karikimi pa tela 15W me ftohje të integruar, si dhe ka dy porta USB-C. Një sistem audio me ‘subwoofer’ dhe amplifikator ofrohet si opsion.
Ibiza ruan gamën e motorëve benzinë, me pesë versione që ndryshojnë nga 80 deri në 150 kuaj/fuqi. Në varësi të konfigurimit, ofrohet ndryshues manual me pesë ose gjashtë marshe, ose automatike me shtatë marshe dhe dy tufa. Një version plotësisht hibrid do të shtohet në ofertë në vitin 2027. Pezullimi mbetet i pandryshuar: MacPherson përpara dhe rreze torzioni prapa.
Modeli ofrohet në tre nivele pajisjeje: Ibiza, Style dhe FR. Ato dallohen për dizajnin, materialet e brendshme dhe pajisjet standarde. Versioni FR ka elemente sportive, si ulëse guaske, xhama të errësuar dhe disqe alumini 18 inç (opsionale).
Çmimet për versionet e përditësuara të Ibiza-s dhe Arona-s ende nuk janë publikuar. /Telegrafi/

















































