LAJMI I FUNDIT:

S’e diktuan defektin e njësisë B1

S’e diktuan defektin e njësisë B1

Sipas të përditshmes Express, Kompania Alstom, që kishte bërë para tri javësh revizionin e kazanit të njësisë B1, nuk kishte arritur të diktonte çarjen në gypat e këtij kazani. çarje e cila ,vikendin e kaluar la në terr krejt Kosovën. Furnizimi u përmirësua pas futjes së bllokut A3 dhe importit të 170 megavatëve.

Express shkruan se, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sërish ia pa sherrin kompanisë Alstom.

Sipas Arben Gjukës, ushtrues i detyrës së drejtorit të KEK-ut, ishte njësia gjermane e kompanisë franceze ajo që kishte bërë revizionin e kazanit gjatë riparimit vjetor. Ndërsa pjesën tjetër të revizionit e kishin bërë vetë punëtorët e KEK-ut. Rrjedhja e fundit në kazan, që la në terr Kosovën për 24 orë rresht, nuk ishte diktuar fare nga Alstom.

“Gjatë revizionit vjetor bëhen kontrolle për defektet eventuale. Ato riparohen, por defekti i fundit nuk është vërejtur nga kompania që bëri revizionin”, tha Nezir Sinani, zëdhënës i KEK-ut.


Një gjë e tillë bëri që të dilte nga sistemi blloku i parë i termocentralit Kosova B. Kjo nuk është hera e parë që për një kohë të shkurtër pas riparimit bie blloku nga sistemi. E në të shumtën e rasteve ,ka ndodhur pikërisht për shkak të rrjedhjeve në kazan. Fajtori kryesor ka qenë kompania Alstom, e cila ka bërë shumicën e riparimeve deri sot në termocentralet e KEK, duke përfituar qindra milionë euro.

Pas kolapsit energjetik që ndodhi të shtunën, furnizimi me rrymë është përmirësuar. Më së shumti kjo falë importit . KEK është duke importuar 170 megavatë në orë.

KEK pas rënies së bllokut B1 ka kthyer në sistem edhe bllokun A3, i cili gjendej në riparim vjetor.

Korporata më e madhe në vend ka importuar energji elektrike gjatë gjithë gushtit. Ky import ka kushtuar rreth 7 milionë euro, por edhe me import, gjatë gjithë verës ka pasur reduktime, për shkak se gati asnjëherë nuk kanë qenë në funksion të katër blloqet funksionale të KEK-ut.

Me kthimin e bllokut B1 kishte shkuar në riparim vjetor ai B2 dhe pas kthimit të tij, të dy blloqet e TC Kosova A, përkatësisht ato A3 dhe A4. Në riparim gjeneral është edhe blloku A5. Me rikthimin e tyre gati asnjëri bllok nuk ka treguar stabilitet prodhimi. Po të funksiononin normalisht të gjitha blloqet, reduktimet do të ishin punë e harruar. Pa bllokun A5, kapaciteti i katër të tjerave është 750 megavatë në orë. Aq sa mesatarja e shpenzimit të energjisë në Kosovë.